Mbishkrim për ISIS në një stacion autobusi në Vlorë, policia nis hetimet (Foto)

Nuk dihet ende nëse është ndonjë shaka, apo diçka tjetër por në stacionin e autobusit të Vlorës është gjetur një flamur letre në të cilin ishte pikturuar një fytyrë xhihadisti, një automatik dhe një bombë.

Lajme

15/12/2015 11:27

Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se flamuri prej letre është konstatuar në lagjen “Osman Haxhiu”, rreth orës 08.00 të mëngjesit në një kioskë për shitjen e gazetave, pranë stacionit të autobusit.

Vizatimi i bërë me stilolaps shoqërohej nga mbishkrimi “ISIS, Allahu Ekber”. Letra e gjetur ka shkaktuar panik tek të pranishmit, të cilët kanë lajmëruar menjëherë uniformat blu.

Policia bën të ditur se letra e bardhë e gjetur dyshohet të jetë shkëputur nga ndonjë libër i shkollës 9-vjeçare por që nuk është identifikuar ende. Policia ka nisur hetimet për origjinën e këtij veprimi dhe identifikimin e autorëve./ Top Channel