Mbi puthadorët dhe klientelët

Përpos tjerash, zgjedhjet e fundit treguan se ka ardhur fundi i puthadorëve. Fundin e atyre analfabetëve që kur flasin qejfin ia bëjnë liderit. Dhe e dyta, fundi i klientelëve partiakë. Por, kush po i zëvendëson këto dy kategori? Ndoshta, ata që koketojnë dhe janë të gatshëm për kompromise me lloj-lloj radikalizmash.

Opinion

24/06/2017 14:40

  1. Uni, dinjiteti, ndërgjegjja, nderi janë vija të karakterit që nëse i humb të dehumanizojnë. Thjesht, një person pa elementet e lartcekura është paçavër. Nuk i vyejnë as pasuria, as shkolla e as benefitet që i kanë krijuar paslufte në Kosovë – kohë kur vlerat morale e kanë prekur pikën më të ulët të mundshme.

Si kemi ardhur te kjo gjendje? Në masë të madhe, për shkak se pushtetarët i duan poltronët, dyftyrështat, analfabetet dhe shpirtzinjtë. Më lehtë i manipulojnë. Pushteti i do paçavrat dhe di t’i shpërblejë mirë. Por, e kemi një problem: Liderët tani kanë filluar ta kuptojnë që me yessman- a, shteti nuk funksionon. Gjendja është katastrofale – prej arsimit, kulturës, deri të mjekësia dhe ekonomia.

Prandaj, një person që nuk ja prishë shefit kurrë, e që i thotë që e ka mirë, edhe kur nuk e ka – ja prishë më së shumti. Kjo më së miri po shihet nëse gjendjen e tanishme në shoqëri, e kontekstualizojmë në zgjedhjet e fundit. Jam dëshmitar okular i pohimeve të individëve të caktuar që AAK, do t’i ketë së paku 22 deputet. Pastaj që PDK do të jetë edhe më e fuqishme se zgjedhjet e kaluara. Apo se simpatizantët e LDK-së mobilizohen kur partia e tyre “tradhtohet”, siç e quanin votimin e mosbesimin të qeverisë. U ngulën. Pos neve, i rrejtën dhe i dëmtuan rëndë edhe liderët e tyre.

  1. Qytetari i Kosovës iu revanshua gënjeshtrës, intrigës dhe mentalitetit se në politikë është i lejuar mashtrimi dhe kopilia. Qytetari e kundërshtoi fuqishëm idenë që mos të jetë sovran i votës së vet dhe që vota t’i kontrabandohet – brenda natës.

Në të njëjtën kohë, ne si shoqëri, kuptuam që edhe të punësuarit e ndryshëm, shërbyesit civil dhe personat që potencialisht mund të jenë klientë të pushtetit, votuan për ndryshime në shoqëri.

E dinë që vendin e punës tani, nuk mund ta humbin lehtë. Të drejtën mund ta kërkojnë në gjykatë – sado që janë të pakënaqur me punën e saj.  Prandaj, një pjesë e madhe e tyre, nuk votoi në frymën klienteliste.

  1. “Demokratët janë arsyeja e vetme që i votoj republikanët” – është shprehja që e dëgjova në SHBA, dhe që më së miri e arsyeton rritjen e Vetëvendosjes. Nuk është se kjo parti ka pasur programin më të mirë apo rezultatet më të mira. Madje, as nuk mund të themi që janë gjithmonë të sinqertë: jemi dëshmitar të koketimeve të tyre, me eksponentë të ideve dhe qëndrimeve të radikalizmit fetar. Natyrisht, për qëllime elektorale. Por, në fund, qëndrimet e prera rreth koalicioneve ishin, si duket, faktori vendimtar. Të vetmit e mbajtën premtimin rreth “vijave të kuqe” për koalicione parazgjedhore. Këtë qëndrim e konvertuan në votë.
  2. Zhvillimet e fundit në politikë dëshmuan se shoqëria e jonë ngadalë por sigurt po emancipohet. Votuesit askush më nuk mund ti shes “dushk për gogla”. Kjo argumentohet me faktin që koalicioni PAN dështoi, edhe pse e kishte pas vetës bagazhin e luftës, heroizmit, bindjen në një pjesë të popullit se e çliruan Kosovën, mekanizmin e pushtetit dhe infrastrukturën politike në terren. Rrenë kush thotë që PAN ka arritur sukses. Në të njëjtën kohë, as LDK nuk kaloi mirë. Qytetari i Kosovës i ndëshkoi të gjithë ngapak. Dhe si rezultat i këtij ndëshkimi, potencialisht do të kemi qeveri jostabile sa i përket numrave në Parlament. Qeveri e cila do të varet nga Lista Serbe, në kohën kur kjo e fundit është më e fortë dhe më unike se kurrë. Faturat e papaguara që prej paslufte janë renditur. Borxhi duhet paguar. Padyshim se një pjesë do ta paguajnë liderët dhe këshilltarët e tyre që i keqkëshilluan dhe ju krijuan iluzion shefave të tyre, se çdo gjë është mirë dhe janë të pazëvendësueshëm. Për fat të keq, pjesën më të madhe të faturës do ta paguajmë të gjithë ne.