Mbi dy të tretat e vajit të ullirit në Shqipëri, i falsifikuar

Rreth 70% e vajit të ullirit, që shitet në tregjet shqiptare, është i falsifikuar, duke rrezikuar kështu shëndetin e konsumatorëve.

Lajme

09/07/2014 20:22

Ka qenë ky shqetësimi i ngritur nga disa kompani të prodhimit dhe importit të vajit të ullirit, gjatë një takimi me drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ata kërkuan forcimin e kontrollit, qoftë të produkteve të prodhuara në vend, qoftë të atyre që importohen nga jashtë, raporton Top Channel.

“Është një treg joformal, treg jo i organizuar drejt dhe sipas standardeve të duhura, sepse në treg ka vajra fals dhe këtë e themi me shumë bindje. Mbase, sipas vlerësimeve tona, mund të rezultojnë në rreth 60-70% të vajit të ullirit”, shprehet Valentina Postoli, nga Shoqata e Prodhuesve të vajit të ullirit.

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Afrim Bakaj paralajmëroi masa të ashpra deri në ndjekje penale për bizneset që abuzojnë.

“Jemi të vendosur të mos tolerojmë duke çuar deri në ndjekje penale shkelësit e ligjit, të gjithë ata që tentojnë të importojnë, kontrabandojnë apo të prodhojnë prodhime, të cilat cenojnë sigurinë ushqimore”, tha Bakaj.

Pas disa aksioneve në treg, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar disa herë sasi të vajit të ullirit jashtë standardit, për të cilin thotë se po ndjek gjurmët e këtij produkti.