Mbi debatin për taksat

Një temë tjetër që mungoi në debatin mbi taksat dhe që përgjithësisht mungon në diskursin politik shqiptar, është çështja se çfarë modeli zhvillimi kemi zgjedhur për të ndjekur dhe nëse duhet ta ndryshojmë atë apo jo.

Opinion

28/12/2013 06:21

Debati mbi taksat gjatë këtij muaji nxori në shesh disa kalçifikime njëzet-vjeçare në mendësinë e shqiptarëve që, sipas meje duhen lëvizur vendit, nëse mendojmë të krijojmë një shtet dhe komunitet të aftë për të qëndruar në këmbë me këmbët e veta – çka ende nuk e kemi arritur pas 100 vjetësh krijim të shtetit shqiptar.

Një tregues i këtyre kalçifikimeve, që, veç të tjerash, flasin jo vetëm për trashëgiminë e izolimit, por edhe për një vazhdim të izolimit mendor të shqiptarëve nga bota, ishte mungesa ose përcipshmëria e trajtimit gjatë debatit për taksat të disa temave, që, sipas meje, do të duhet të kishin qenë në qendër të tij. Po përpiqem të përmend disa syresh.

 

Raporti i individit me shtetin dhe komunitetin

Ajo që ra në sy më shumë se çdo gjë gjatë debatit, ishte fakti se shumica e reduktuan debatin në një çështje të vetme: se sa do të varfërohet apo pasurohet individi apo familja e tij me këtë reformë fiskale, duke e reduktuar kësisoj njeriun shqiptar në atë që e quajnë “homo economicus” në trajtën më banale.

Duke pasur përballë një njeri të reduktuar kështu – reduktim ky që në të vërtetë ka kohë që bëhet –  palët i drejtoheshin atij vetëm për t’i prekur telat e përfitimit, – sa dhe si do t’i hyjë apo dalë prej xhepit. Maxhoranca ngulmoi në atë se shumica e shqiptarëve do të paguanin më pak, dhe prandaj do të ishin më mirë. Opozita e përgënjeshtroi këtë, duke thënë se pjesa më e madhe do të varfërohej.

Në këtë frymë, gjatë gjithë debatit shteti apo komuniteti konsiderohej thuajse si e kundërta e interesit të qytetarit, gati-gati si një grabitës i parave të tij dhe, nga ana tjetër, individët konsideroheshin si qenie që, në raport me shtetin dhe komunitetin, s’bëjnë gjë tjetër, veçse gjejnë marifete për t’ua hedhur atyre. Prandaj dhe argumenti më i fortë kundër taksës progresive ishte ai se kjo rritje e taksave do të bëjë të mblidhen më pak para, pasi do të rrisë prirjen e njerëzve për t’ia hedhur shtetit nëpërmjet informalitetit dhe evazionit fiskal.

Pa dyshim të gjitha këto bazohen në një të vërtetë të madhe: atë se raporti i individit shqiptar me shtetin dhe komunitetin karakterizohet nga një mosbesim i thellë, çka ka ardhur kryesisht si pasojë e përvojës që kemi me shtetarët që e kanë përdorur shtetin kundër qytetarit. Ky raport me shtetin dhe komunitetin ka qenë i tillë jo vetëm në komunizëm, por edhe më parë, edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve gjatë të cilëve shtetarët e kanë parë shtetin dhe komunitetin si mjet për të grabitur paranë dhe pronat publike, me fjalë të tjera edhe taksën e qytetarit. Ajo që e ka mbajtur shtetin në këmbë, kanë qenë ndihmat e huaja dhe borxhet galopante. Në thelb këtu qëndron shkaku i dështimit tonë në shtetformim.

Nga pikëpamja ideologjike, ky dështim në kohën e sotme është lehtësuar goxha nëpërmjet mëshimit të kultit të tregut dhe iniciativës private të individit, propaganduar këto jo vetëm si më të rëndësishme sesa shteti, por edhe si e mira përballë shtetit që përfaqëson të keqen. Kjo ka bërë që taksat të konsiderohen thjesht si një barrë dhe jo si një detyrim prej të cilit rrjedhin edhe shumë të drejta që, tek e fundit, na bëjnë qytetarë të një vendi.

Ve në dukje se edhe Adam Smith – i cili është konsideruar guruja i teorisë së tregut të lirë, kur flet për taksat tek “The Welth of Nations” (Pasuria e kombeve) thotë se “Ekonomia ka dy objektiva: së pari t’i sigurojë popullit të ardhura të bollshme mbijetese – ose më specifikisht, t’i vendosë qytetarët në kushte që të mund t’i sigurojnë këto të ardhura; dhe, së dyti, t’i furnizojë shtetit apo komunitetit të holla të mjaftueshme për shërbimet publike.”

Prandaj, gjykoj se në debatin mbi taksat duhet të ishte folur e shkruar më shumë mbi atë se shteti apo komuniteti që duam të ndërtojmë – sepse nuk mohohet se jemi në një proces të ndryshimit të raportit tonë me ta – nuk duhet parë si armik, por si një instrument që njerëzit e kanë ndërtuar vetë për të kryer disa shërbime të rëndësishme, pa të cilat jeta jonë si individë do të ishte shumë më e vështirë.

E kam fjalën për atë, pra, se në diskursin mbi taksat, duhet të futej edhe ideja se taksat janë të hollat që ne paguajmë për t’i pasur këto shërbime që na kthejnë nga një turmë individësh në një shoqëri; se ne do të duhej të kishim qenë prej kohësh shumë më të shqetësuar që rrogat e mësuesve në shkollat e fëmijëve tanë, të mjekëve tanë në spitalet publike, të policëve tanë, të gjyqtarëve tanë të administratorëve tanë të ishin në nivelin e dinjitetit të kësaj pune dhe, po ashtu, se do të duhej të kishim qenë shumë më tepër të interesuar, por edhe të informuar për lekët që  hiqen mënjanë për të pastruar plehrat që na kanë mbytur, ndërtuar shkolla, spitale, rrugë, ura, kanalizimi, porte, kryer pyllëzime e të tjera gjëra të nevojshme për jetën tonë të përbashkët dhe për ekonominë tonë private po ashtu.

Dhe deri këtu ky diskurs s’ka të bëjë me taksë progresive apo të sheshtë, por për rëndësinë e taksës. Sepse gjykimi im është se problemi më i madh që ka sot Shqipëria, nuk është fakti se kemi taksë të sheshtë apo progresive, por fakti se kemi një ekonomi kryesisht informale që vjen, edhe pse nuk kemi ndërgjegjen e mjaftueshme mbi rëndësinë e pagesës së taksës, edhe ngase pushtetarët tanë nuk na e kanë kthyer taksën në shërbim, por na e kanë vjedhur.

Pra, çështja e parë është: ne kemi nevojë të ndërgjegjësohemi për pagesën e taksave, sepse kemi nevojë të ndërtojmë dhe forcojmë shtetin tonë.

 

Shteti social

Kur Rama lançoi idenë e taksës progresive, Berisha nuk la takim pa bërë me botën e biznesit, veçanërisht duke lëshuar akuza se këta pasardhësit e bllokmenëve duan të na fusin taksën progresiste, ngaqë janë këlyshët e regjimit të vjetër e marrëzira të tilla, që jam i bindur se nuk i beson as vetë, por i thotë ngaqë dikush i ka mbushur mendjen se shumica e shqiptarëve janë krejtësisht budallenj. E vërteta është se regjimi i Enver Hoxhës mburrej se te ne nuk kishte taksa. Në fakt, taksa progresive s’ka të bëjë fare me atë regjim, përkundrazi, është një taksë tipikisht e kapitalizmit, pasi ajo nënkupton ekzistencën e diferencave në të ardhura midis më të pasurve dhe më të varfërve, ndërkohë që ai regjim i bëri të gjithë të barabartë në varfërinë e tyre.

E vërteta është se taksa progresive ka një orgjinë të majtë që ka lindur (me lëvizjet socialiste) pikërisht për të zbutur kapitalizmin e egër që lulëzoi në shek XIX, për të siguruar më shumë drejtësi shoqërore, për të krijuar më shumë shanse për të gjithë. Kjo ka sjellë konceptin e shtetit social, i cili ka lindur si një kompromis midis punëdhënësve dhe punëmarrësve, veç të tjerash edhe për të evituar rreziqet e vendosjes së regjimeve komuniste. Dhe dihet se taksa progresive është aplikuar më me sukses se kudo në vende, si Gjermania apo vendet nordike, ku shteti është shumë më social. Ndërkaq, në debatin tonë politik ka kohë që termi “shtet social” është zhdukur, ndërkohë që mendoj se ai duhet kthyer me forcë, paçka se ka nga ata që thonë se ne jemi Shqipëria, nuk jemi Gjermania apo Suedia – a thua se ne nuk kemi të drejtë të kemi ideale.

 

Taksë e sheshtë apo progresive?

Vështirë të flitet për shtet social pa futur konceptin e taksës progresive, sepse, kur fitet për shtetin social, një nga argumentet kryesore është pikërisht nevoja që ka shoqëria që të mos i lerë pa mbrojtjen sociale të dobëtit: d.m.th. ata që për shumë arsye nuk ia dalin në jetë, përkohësisht apo përherësisht, dhe prandaj nuk janë në gjendje t’i japin shoqërisë taksa, por marrin prej saj.

Ne e dimë shumë mirë se ata që mbeten pa punë, pasi sëmuren apo për çfarëdo arsye tjetër, kudo në botën e qytetëruar marrin një shumë të mjaftueshme për të mbijetuar, pasi përndryshe problemet që i krijohen shoqërisë me këta janë shumë të mëdha dhe jo vetëm morale, por edhe të natyrave të tjera, p.sh., një pjesë mund t’i drejtohen aktivitetit kriminal, i cili jo vetëm do të krijojë dëme ndaj të tjerëve, por edhe vetë shtetit do t’i kushtojë, pasi, duke u futur në burg një njeri që kryen një krim, ai ka koston e tij për shtetin. Po ashtu është shumë e domosdoshme që ata që fitojnë pak, të kenë minimumin e nevojshëm për të pasur një jetë dinjitoze.

Në këtë kontekst, pyetja ngrihet: në realitetin shqiptar, ku numri i atyre që jetojnë nën nivelin e varfërisë është tejet i lartë, a nuk ka ardhur koha të flitet për taksë progresive? Ashtu sikurse e shoh unë problemin shqiptar, më duket se vendi ka nevojë për më shumë solidaritet midis njerëzve, pasi kemi shkuar shumë larg në polarizimin midis të pasurve dhe të varfërve. Pra, ne kemi nevojë urgjente për dy gjëra: të korrigjojmë individualizmin ekstrem nëpërmjet ndërtimit të shtetit dhe komunitetit, ashtu që këta t’i ndiejmë si tanët dhe jo si armiqtë tanë: dhe për këtë kemi nevojë të paguajmë taksa, si dhe të zbusim polarizimin dhe të rrisim solidaritetin – dhe për këtë kemi nevojë që ata që kanë më shumë të mendojmë më shumë për ata që nuk kanë – e prandaj kemi nevojë që taksat të jenë progresive.

 

Modeli i zhvillimit dhe stili i jetës

Një temë tjetër që mungoi në debatin mbi taksat dhe që përgjithësisht mungon në diskursin politik shqiptar, është çështja se çfarë modeli zhvillimi kemi zgjedhur për të ndjekur dhe nëse duhet ta ndryshojmë atë apo jo. Duke qenë se Shqipëria ka shumë aberracione, është vështirë të futësh atë në një model zhvillimi nga ata që njihen botërisht. Megjithatë, një gjë është e sigurt: se këta njëzet vjet ne kemi diskutuar sikur të ketë një model të vetëm kapitalizmi, në themel të të cilit qëndron ideja e rritjes ekonomike (GDP) si treguesi kryesor dhe i vetëm i zhvillimit.

Ndërkaq, bota ka ç’prej viteve ‘70 që ka ngritur çështjen e “zhvillimit të qëndrueshëm”, që bazohet mbi parimin se rritja ekonomike nuk mjafton; duhet të ndjekim një model zhvillimi, që synon rritjen e mirëqenies së njeriut dhe të cilësisë së tij të jetës në mënyrë të qëndrueshme, çka, me fjalë të tjera, do të thotë se ky model zhvillimi nuk synon thjesht zhvillimin  e kapitalit ekonomik, por harmonizimin e këtij zhvillimi me zhvillimin e kapitalit njerëzor/social, si dhe me riprodhimin e kapitalit natyror. Gjithë në këtë kontekst, kritika ndaj modelit klasik kapitalist të GDP-së është thelluar kohët e fundit edhe për sa i përket rënies së peshës së GDP-së, në raport me ato të mira që ekonomistët e lumturisë i quajnë të mirat që vijnë nga relacionet njerëzore. Ka studime që tregojnë se niveli i lumturisë në SHBA është më i ulët se ai i viteve ’70, edhe pse të ardhurat ekonomike janë rritur. Dhe kjo vjen pasi kanë pësuar rënie të madhe pikërisht ato të mira që bazohen në marrëdhëniet e besimit të njeriut te njeriu, te komuniteti, ashtu sikurse tek institucionet.

Ky model zhvillimi nënkupton si anë tjetër të medaljes edhe ndryshimin e stilit të jetesës së njerëzve. “Homo economicus” është një tjetërsim i qenies njerëzore, një produkt i kapitalizmit që e mat çdo gjë me GDP, që e ka kthyer njeriun në një rob të kulturës së konsumizmit, duke e klientelizuar atë, duke i krijuar varësi nga objektet që blen pa e kuptuar se në këtë mënyrë është kthyer në një rob të konsumizmit, që punon për të blerë dhe blen për të punuar.

Një ndryshim i stilit të jetës nënkupton që kënaqësia dhe lumturia në jetë të mos maten vetëm me sasinë e parave që fiton dhe të mos mendohet se këto vetëm mund të blihen, por se ka nga ato të mira që nuk blihen dot me para – miqësia p.sh. është një e tillë e më në përgjithësi relacionet e mira njerëzore të ndërtuara mbi ndarjen e vlerave shpirtërore, por edhe raporti me natyrën etj. etj…

Nuk ka pikë dyshimi se Shqipëria ka ndjekur modelin më të ashpër dhe më të egër të zhvillimit të bazuar vetëm mbi rritjen ekonomike, pra të GDP-së, e cila, për më tepër, ka qenë njëdimensionale dhe e orientuar thjesht për pasurimin e një pakice, duke lënë shumicën në varfëri. Si pasojë, reduktimi i njeriut në “homo economicus” dhe klientelizmi i tij në vendin tonë ka arritur përmasa groteske.

Nuk ka pikë dyshimi, nga ana tjetër, se një zhvillim i qëndrueshëm dhe një rritje e cilësisë së jetës dhe një ndryshim i stilit të jetesës ka të bëjë më shumë me ruajtjen e ambientit të relacioneve, që do të thotë të hapësirave publike. Dhe një kujdes më i madh për këtë nënkupton edhe më shumë para për publiken, që është hapësira par exellence e relacionimit të njerëzve, të atyre të mirave që nuk blihen me para. A ka të bëjë kjo me taksën progresive. Pa dyshim, sepse rritja, mbrojtja dhe mirëmbajtja e publikes në këtë model zhvillimi dhe stil jetese rritet dhe kjo kërkon më shumë të holla që i kthehen shoqërisë e komunitetit në një formë tjetër.

Dikush mund të bëjë vërejtjen se gjithë sa shkrova janë thjesht në nivelin ideal, pa lidhje me realitetin shqiptar. Kundër argumenteve të mi ngrihen ata që thonë se bizneset tona, që janë edhe punëdhënësit më të rëndësishëm në vend, kanë nevojë të fuqizohen, kurse një taksë e madhe i varros ato.

Sipas meje, më shumë se ky problem, është se ata që konsiderohen të pasur në Shqipëri, nuk dihet se sa të pasur janë vërtet, pasi nuk kemi një regjistrim serioz pasurie, dhe se, më të shumtët e kanë këtë pasuri të padeklaruar dhe, po ashtu, të palegjitimuar mënyrën se si e kanë vënë atë. Regjistrimi dhe njohja e kësaj pasurie është një nga sfidat që ka qeveria e re sipas meje.

Gjithsesi, pa hyrë në detaje, edhe për mungesë të dhënash, mendoj se në diskursin mbi taksat nuk duhet të mungonin këto koncepte themelore të një shpërndarjeje më të drejtë, të solidaritetit dhe kohezionit social, që janë tejet të lidhura me shtetin social dhe taksën progresive.

 

(Panorama)