Mbi 60 biznese promovojnë produktet e tyre në “Panairin dimëror”

U bë hapja e Panairit Dimëror që është një ngjarje tradicionale që organizohet nga ARDA, në kuadër të projektit të financuar nga BE “Mbështetje Zhvillimit Ekonomik Rajonal” që administrohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Lajme

15/12/2017 12:51

Ky manifestim tashmë tradicional është i dizajnuar si një mundësi për të mbështetur përpjekjet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme prodhuese dhe bizneseve të reja në promovimin e produkteve të tyre dhe në avancimin e nismave të tyre për komunikim dhe marketing, si dhe të lehtësojë takimet Biznes-me-Biznes

Për tre ditë rresht, mbi 70 biznese vendore të shquara për prodhime vendore të cilësisë së lartë do të promovojnë produktet e tyre që variojnë nga industria e ushqimit dhe deri tek artizanalet dhe punimet artistike. Panairi i Dimrit do të ofrojë edhe mundësi argëtimi, përfshi muzikën, pllakate me animacione, këndin e fotografimit, mundësi për ngjyrosje të fytyrave të fëmijëve dhe lojëra për fëmijë dhe pjesë të tjera artistike. Panairi do të jetë i hapur në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Luigi Brusa nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosova tha se tregu i Bashkësisë Evropiane është i hapur për shumicën e produkteve kosovare, por që sipas tij disa kërkesa të sigurisë dhe cilësisë duhet të përmbushën.

“Kemi përafërsisht 60 biznese që kanë shfrytëzuar këtë mundësi të promovojnë produktet e tyre, disa nga këto biznese kanë qenë përfituese nga mbështetja që ne kemi ofruar dhe nëse janë këtu me ne sot duke prezantuar produktet e tyre dhe kjo do të thotë se ata janë duku punuar mirë dhe janë biznese të shëndetshëm”, tha Brusa.

“Sot tregu i Bashkësisë Evropiane është i hapur për shumicën e produkteve kosovare, mirëpo disa kërkesa të sigurisë apo cilësisë ushqimore duhet që të përmbushën. Ne jemi duke mbështetur Kosovën në përmbushjen e këtyre kërkesave nga tregu i bashkësisë evropiane dhe në qasje në tregjet evropiane.  Shpresojmë që cilësia e produkteve kosovare të përmirësohet që të jetë sfiduese për produktet që gjenden në bashkësinë evropiane”.

Ai tha se institucionet kosovare duhet të mbështesin sa më shumë bizneset e vogla në Kosovë.

“Jemi duke mbështet Kosovën në tregun e jashtëm, por institucionet kosovare duhet të mbështesin këto biznese, sidomos bizneset e vogla në Kosovë”.

Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Afrim Demiri, tha se një nga objektivat kryesore të MZhR-së është mbështetja e ndërrmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“60 biznese sot po promovojnë produktet e tyre, mbështetja e ndërrmarjeve të vogla dhe të mesme, kjo është një nga objektivat më të rëndësishme të MZhR-së, mos hezitoni të konsumoni produkte vendore“, tha Demiri.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv  i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), theksoi se shteti duhet të ndihmojë bizneset në mënyrë që të ketë një ekonomi më të madhe në vend.

“ Ky panair është mbështetje e madhe për bizneset e vogla. Shteti duhet të ndihmojë bizneset e vogla që të bëhen konkurente me produktet e tyre në Kosovë, shteti duhet të ndihmojë për një ekonomi më të madhe në vend përmes promovimit të produkteve vendore”, tha Zeka.

Mrikë Macula, shefe e ARDA-s, tha se ky organizim është tashmë tradicional e që sipas saj është mundësi e madhe për mbështetjen e bizneseve të reja për promovimin e produkteve të tyre.

“5 vite me radhë organizojmë panairin dimëror në lansimin e produkteve vendore , projekt ky që është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe komunat. Ky manifestim është tradicional, si mundësi për të mbështetur bizneset e reja dhe promovimin e produkteve të tyre. Këtu i kemi 60 biznese me prodhime vendore nga industria e ushqimit e deri tek artizanatet”, tha Macula.