Mbi 5,000 biznese të reja në Kosovë, për 6 muaj

Pavarësisht mungesës së klimës për investime në Kosovë, prapë shumë qytetarë po gjejnë mundësi për të hapur biznese të reja. Madje, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë hapur mbi 5 mijë biznese të reja.

Lajme

06/07/2014 15:46

Mehdi Pllashniku, koordinator për çështje juridike dhe praktike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, tha se numri më i madh i bizneseve të regjistruara janë biznese individuale, por ka edhe kompani të huaja.

“Nga 1 janari deri në fund të qershorit janë regjistruar 5,286 biznese. Prej tyre 4,003 biznese janë individuale, 52 janë ortakëri e përgjithshme, 1,182 janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, shoqëri aksionare janë 14, ndërmarrje shoqërore është 1, ndërmarrje publike 1 dhe kooperative bujqësore 3”, tha Pllashniku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, në mesin e bizneseve të regjistrua janë edhe 30 kompani të huaja.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se hapja e bizneseve të reja tregon se kosovarët kanë shpirt prej ndërmarrësi. Por, iniciativat për t’u futur në biznes jo gjithmonë kanë rezultuar të përfundojnë me një biznes të suksesshëm.

Udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini konsideron se në Kosovë është lehtë të zhvillohet biznesi, afaristët e rinj nuk e kanë kuptuar se lehtë është vetëm regjistrimi i biznesit. Ai thotë se për t’u futur në biznes është rrezik për shkak se rrezikohet kapitali vetjak dhe nuk ka ndonjë siguri që biznesi do të mund të jetë i suksesshëm.

“Nga këto biznese më pak se 50 për qind e tyre nuk do të përfundojnë me sukses në fund të vitit. Këtyre do t’iu ndalen iniciativat, do të kuptojnë se nuk kanë mbështetje nga bankat komerciale, institucionet shtetërore. Por, kanë ngarkesa që nga dita e parë, kur regjistrohen fillon taksa komunal e të tjera dhe këto janë vështirësi të njëpasnjëshme të bizneseve”, theksoi Shahini.

Ai rekomandon qytetarët të cilët dëshirojnë të hapin biznese të reja që në rend të parë të interesohen për rrethanat e pafavorshme në fushën e të bërit biznes.

Sa i përket strukturës se ndërmarrjeve, sipas raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thuhet se ky vit është karakterizuar me rritje të numrit të bizneseve të reja në tregti, hotele, restorante, transport, telekomunikacion, kurse bujqësia dhe ndërtimtaria kanë shënuar rënie në krahasim më tremujorin e parë të vitit të kaluar

Mirëpo përveç hapjes së bizneseve të reja, ka edhe mjaft biznese që kanë raportuar shuarjen. Gjatë periudhës gjashtëmujore janë shuar 872 biznese.