Mbi 500 mijë qytetarë të zhytur në kredi

Bazuar në disa të dhëna nga BQK-ja, mbi 500 mijë qytetarë në Kosovë kanë marrë kredi. Shkaku kryesor i kësaj është skamja në vend.

Lajme

13/10/2014 09:50

Bazuar në të dhënat e fundit zyrtare, të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës, mësohet se janë mbi 500 mijë kosovarë që kanë marrë kredi nëpër bankat komerciale në vendin tonë.

Shuma më e lartë e kredive, prej 647 milionë eurove, është për tregti, përderisa kreditë individuale, në të cilat hyjnë kreditë familjare, arrijnë vlerën e 578 milionë eurove.

Qytetari Kurtesh Biba, banor në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, thotë për gazetën se ka qenë I detyruar që të marrë kredi në njërën nga bankat komerciale vendore, sepse është dashur që të bëhet gati për dimër, për të blerë dru për dimër dhe turshi.

“Unë, si shumë qytetarë të tjerë, kam ankesa për kamatat e larta të kredive, të cilat po na ngulfasin jetën, por që fatkeqësisht po detyrohemi që t’i marrim ato”, thotë ai.

Shprehet se has në vështirësi të mëdha gjersa bën para për ta paguar këstin e kredisë.

Safet Gërxhaliu, kryetar I OEK-ut, thotë për Kosova Sot se një nga indikatorët pse bizneset dhe qytetarët po futen në kredi është fakti se 90 për qind e mallrave që gjenden në tregun kosovar po importohen. Me këtë paratë tona po dalin jashtë vendit.