Mbi 50 nxënëse afgane dyshohet se janë helmuar

Dhjetëra nxënëse të një shkolle të mesme në provincën Helmand të Afganistanit, janë dërguar në spital dhe zyrtarët dyshojnë se ato janë helmuar.

Bota

02/04/2018 14:55

Shefi i departamentit të edukimit në këtë provincë, Dawood Shah Safari, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se 52 nxënëse janë dërguar në një spital në Lashkar Gah.

Doktori Nisar Ahmad Barak ka thënë se vajzat e hospitalizuara kanë pasur kokëdhimbje dhe të vjellura, duke shtuar se tashmë ato janë në gjendje stabile.

Nuk është ende e qartë se për çfarë lloj helmimi bëhet fjalë.

Policia dhe ekspertët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për këtë incident.

Shumica e provincës Helmand është nën kontrollin e talibanëve, të cilët kundërshtojnë edukimin e vajzave.