Mbi 400 kandidatë po presin që të marrin titullin “doktor shkence” në UP

Mbi 400 kandidatë për doktoratë në Universitetin e Prishtinës janë në pritje të përfundimit të procedurave për mbrojtjen e punimeve të tyre.

Lajme

06/04/2015 08:13

Por, drejtues të Universitetit kanë thënë për “Kohën Ditore” se ka probleme të mëdha në mentorimin e tyre, si dhe nuk dihet ende vlera e punimeve shkencore mbi bazën e të cilave kandidatët do të marrin titullin më të lartë shkencor – doktor shkence.

E këto punime, ekspertët e arsimit po kërkojnë që të bëhen publike, në mënyrë që të mund të analizohen dhe vlerësohen nga të gjithë. Kjo deri tani nuk ka qenë praktikë në UP. Kurse dekanë fakultetesh mohojnë të jetë problem gjetja e mentorëve për kandidatët e tyre. Ata pohojnë se numri i madh i kandidatëve që janë në proces të doktoratës, në fakt nuk është i madh, sepse bëhet fjalë për kandidatë të disa gjeneratave, të cilëve UP-ja duhet t’u japë mundësinë e avancimit shkencor.

Prorektori për shkencë në UP, Fetah Podvorica, ka thënë për gazetën, se aktualisht me të dhëna e marra nga shtatë njësitë akademike ku organizohen studimet e doktoratës, del se janë 404 kandidatë që iu takojnë disa gjeneratave të studimeve të doktoratës, të cilët po presin të doktorojnë në UP.

Sipas tij, shumica syresh iu takojnë gjeneratave 2013/14. Kurse shumica e kandidatëve të këtyre gjeneratave e kanë Fakultetin e Mjekësisë, i cili ka gjithsej 127 kandidatë, Fakulteti Ekonomik me 88 dhe Fakulteti Juridik me 59 kandidatë.

I pyetur se nëse numri i tyre është në përputhje me kapacitetet që ka UP-ja, prorektori Podvorica ka thënë se “ne jemi thellësisht të bindur se UP-ja nuk ka bërë planifikim të duhur kur i ka shpallur konkurset, duke e ditur se nuk i ka kapacitetet e nevojshme për t’iu mundësuar studime në nivel të doktoratës një numri kaq të madh të kandidatëve”.

Sipas tij, pikërisht për këtë, menaxhmenti i UP-së nuk ka lejuar hapjen e konkursit të studimeve të doktoratës për vitin 2014/15.

“Ne jemi në deficit të madh sidomos të mentorëve, e po ashtu në shkencat ekzakte ku nevojitet puna eksperimentale më shumë raste mungojnë pajisjet e nevojshme për studime të nivelit të doktoratës”, ka thënë Podvorica, duke treguar se aktualisht janë rreth 300 kandidatë për doktoratë që po presin që t’iu caktohen mentorët.