Mbi 40 të vdekur pas një sulmi ajror amerikan kundër një kampi të ISIS-it

Më shumë se 40 persona u vranë sot pas një sulmi ajror kundër një ndërtese e cila ishte bërë streha e anëtarëve të grupit të Shtetit Islamik (ISIS) në Libi, bënë të ditur zyrtarë libianë, ndërkohë që Uashingtoni konfirmoi se ka goditur një kamp të organizatës xhihadiste.

Bota

19/02/2016 16:42

“Ndërtesa e cila vënë në shënjestër mëngjesin e sotëm ndodhet në Sabrata, rreth 70 kilometra në perëndim të Tripolit, e cila u shkatërrua plotësisht”, deklaroi për median një zyrtar i bashkisë së qytetit, Hussein al-Dawadi.

“Sulmi shënoi 41 të vdekur të cilët ndodheshin brenda godinës”, shtoi ai duke raportuar për gjashtë të plagosur. Kryesisht viktimat ishin me kombësi tuniziane, me shumë gjasa anëtarë të ISIS-it.

Zyrtarët libianë nuk kishin informacion të saktë rreth objektivit të sulmit ajror por një zyrtar amerikan pohoi se avionët luftarakë amerikanë kishin goditur një kamp stërvitor të ISIS-it dhe një shënjestër “me shumë rëndësi”, pa dhënë detaje./ATSH