Mbi 200 thasë me mbeturina largohen në Merdare

Dhjetëra vullnetarë të Let’s Do It Kosova kanë larguar mbi 200 thasë me mbeturina përgjatë rrugës që të çon tek pika kufitare në Merdare.

Lajme

02/09/2018 15:51

Gjatë aksionit të sotëm që filloi në orën 11:00, ndërsa zgjati deri në orën 13:00, mbeturinat u larguan nga rreth një kilometër e rrugës. Pjesa e papastruar në aksionin e sotëm do të pastrohet në aksionin e madh të 15 shtatorit.

Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka thënë se pasqyra e parë që sapo hyjmë në një shtet është ajo që na del përpara, andaj nuk duhet të lejojmë pamje të tilla.

“Qytetarët tonë nuk janë të tillë. Këtë po e bazoj në faktin se kujdesemi mirë për pronat tona, por jo edhe për pronat publike. Shteti i cili është pronar legjitim i këtyre pronave duhet të kujdeset dhe të marrë masa kur ato dëmtohen. Dua ta shfrytëzoj këtë ditë për t’i ftuar edhe institucionet që të jenë të kujdesshme ndaj ambientin, siç është rasti me këtë vend këtu, ku duhet të vendosen shporta të mbeturinave”, tha ai.

Hasanaj bëri të ditur se tashmë ka filluar edhe aksioni i madh për pastrimin e Kosovës.

“Jemi dëshmitarë që Qeveria tashmë ka krijuar Task Forcën për ambientin. Më 15 shtator, kur do të mbahet aksioni i madh për pastrimin e Kosovës, duhet të dalim të gjithë së bashku dhe t’u japim fund pamjeve të tilla me mbeturina. Kjo pason me një aksion tre mujor, deri në eliminimin e të gjitha mbeturinave”, tha ai.

Hasanaj bëri thirrje që të rishikohen strategjitë mjedisore për të parë pse ato nuk po funksionojnë dhe t’i ridraftojnë ato nëse është e nevojshme.

Në anën tjetër, zyrtari tjetër i Let’s Do It Kosova, Besnik Shabiu tha se këto aksione nuk arrijnë t’i largojnë të gjitha mbetjet në Kosovë.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, madje edhe atyre që kritikojnë, që të bashkohen në këto aksione, sepse është koha e fundit që vendit t’i kthehet pamja që e meriton.

Përveç dhjetëra vullnetarëve të Let’s Do It Kosova, aksionit iu bashkua edhe Kompania “Natyra”, e cila përveç makinerisë për largimin e mbeturinave, ofroi edhe vullnetarë që iu bashkuan aksionit për pastrimin e brigjeve përgjatë rrugës tek pika kufitare në Merdare.

Let’s Do It Kosova falënderon edhe Kompaninë e Autobusëve “Dita”, e cila ka ofruar ndihmë në transportin e vullnetarëve.

Pika kufitare në Merdarë ishte pastruar nga vullnetarët e Let’s Do It Kosovës vetëm disa muaj më parë, në kuadër të aktiviteteve që ishin mbajtur për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Aksioni i sotëm i ka parapri fushatës së madhe që është nisur për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat. Më 15 shtator në Kosovë do të shënohet Dita e Pastrimit të Botës, e cila organizohet në afro 200 vende të tjera./Lajmi.net/