Mbi 136 mijë qytetarë aplikuan për rimbursimin e kuponëve fiskalë, sot tërhiqen fituesit

Deri më 31 korrik qytetarët kanë pasur të drejtë të aplikojnë për rimbursimin e kuponëve fiskal. 136 mijë e 462 qytetarë kanë shfrytëzuar këtë të drejtë. Vetëm 450 qytetarë do të rimbursohen, raporton Ekonomia Online.

Lajme

02/08/2017 10:53

Tërheqja e fituesve do të bëhet sot. Që nga viti 2015 janë rimbusuar rreth 25 milionë euro dhe janë verifikuar 1.5 milionë pliko.

Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në këtë tre mujor ka pasur numër më të madh të aplikuesve krahasuar me vitin 2015 kur patën aplikuar mbi 24 mijë qytetarë.

“Nga fillimi i kampanjës në 2015 së rimbursimit e deri më tash pa plikot e fundit pasi ato janë ende në verifikim, kemi rimbursuar 25 milionë euro dhe kemi verifikuar deri 1.5 milionë pliko. Deri më datë 31 korrik ka qenë afati i fundit të dorëzimit të plikove. Kanë aplikuar 136 mijë e 462 qytetarë. Shifër kjo që e ka vërtetuar që platformë e re e kësaj kampanjë është shumë më e mirë dhe më e pëlqyer se sa kampanja paraprake. Po e them këtë duke e pasur parasysh skepticizmin e qytetarëve kur kemi dalë me njoftimin se do të ndryshoj kampanja dhe do të filloj një e re. Shifrat po tregojnë që janë më të mëdha nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë kur kanë nisur kampanja për nxitjen e qytetarëve. Tek periudha e parë kur ka nis kanë qenë dikur 24 mijë e 263 “, ka thënë Bytyqi-Sefa, raporton EO.

Zëdhënësja e ATK-së ka sqaruar se nuk do të tejkalohen numrat e fituesve sikurse herën e kaluar dhe se minimumi i vlerës së fituar është 25 euro ndërsa maksimumi 100 euro.

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme prej momentit kur është lëshuar Udhëzimi Administrative, në fakt jemi përgatitur edhe për tërheqjen e cila do të bëhet 21:30 në Televizionin Publik. Në këtë kampanjë janë të limituara numri i fituesve dhe i mjeteve p.sh një qytetarë duhet të ketë 60 pliko me një shumë minimale prej 250 euro kurse ajo maksimale për fitim është 100 euro. Nuk do të tejkalohen numrat e fituesve sikurse herën e kaluar, minimum i vlerës së fituar është 25 euro e maksimumi 100 euro”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Sipas saj, kjo formë e re e rimbursimit do të ndryshoj pas dy vitesh pasi sipas udhëzimit administrativ çdo dy vit duhet të ketë risi.