Mbi 100,000 afganë të zhvendosur më 2017

Mbi 100,000 afganë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në vitin 2017, për shkak të luftës, thanë Kombet e Bashkuara.

Bota

29/05/2017 15:16

Të dhënat nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare treguan se 103,229 njerëz janë zhvendosur qysh në janar.

Shifra tregon 36% rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se ka disa arsye për zvogëlimin e numrit.

Sipas saj, luftimet kanë vazhduar në zonat e njëjta sikurse vitin e kaluar, çfarë do të thotë se shumë njerëz kanë qenë të ikur.

Së dyti, varfëria është rritur dhe shumë njerëz nuk kanë mjete për të zhvendosur familjet në vende të tjera.

Pasiguria është rritur po ashtu në qytete që më parë janë konsideruar zona të sigurta.

Militantët talibanë dhe ata të të ashtuquajturit Shtet Islamik kanë kryer disa sulme në Kabul, ku qindra civilë janë vrarë ose plagosur qysh në janar.