Mbi 1000 refugjatë të ngujuar në Tabanoc

Mbi 1 mijë refugjatë, kryesisht nga Afganistani, të ngujuar në qendrën Tranzitore në Tabanoc, dhe rreth 300 të tjerë në mes-zonën kufitare Maqedoni Serbi, kërkojnë tu mundësohet të lëvizin lirshëm drejt vendeve të Evropës. Refugjatët refuzojnë që të kthehen mbrapa.

Lajme

20/03/2016 20:09

“Unë vij nga Afganistani, këtu ka 35 ditë që jam në këtë kamp. Kushtet nuk janë edhe aq të këqija, por nuk janë edhe aq të mira, nuk e dimë çka bëjmë këtu”, ka thënë një refugjat nga Afganistani, raporton Alsat.

Përfaqësues të shoqatave humanitare, të cilat ndihmojnë refugjatët në Tabanoc, thonë se gjendja e refugjatëve është e vështirë, sidomos të atyre që kanë mbetur në mes-zonën kufitare.

“I furnizojmë përafërsisht 1200 refugjatë të cilët kanë ngel në kampin e Tabanocit, gjithashtu jemi duke u përkujdesur edhe për pjesën tjetër që kanë mbetur mes kufirit Maqedoni-Serbi”, ka thënë Visar Rrustemi, nga shoqata “Vllaznia”.

Nga ana tjetër, për shkaqe sigurie, pjesëtarët e ARM-së kanë ndërtuar një rrethoje të metaltë të lartë tre metra./KosovaPress