Mbi 1 milion euro investime për ujësjellës në 10 fshatra të Klinës

Komuna e Klinës, në bashkëpunim me Organizatën qeveritare Zvicrane CDI dhe  Qeverinë e Kosovës, janë duke realizuar projektin e ujësjellësit në 10 fshatra të Komunës së Klinës të cilat kanë probleme më ujësjellës e për të cilat do të investohen mbi 1 milion euro.

Lajme

05/07/2017 15:05

Bëhet fjale për rregullimin dhe riparimet në ujësjellësin e fshatrave Sferkë, Volljakë, Dush, Gremnikë, Grabanicë, Qypevë e Ulët dhe e Lartë, Resnikë, Bingjë dhe Grapcë. Kjo konfirmohet nga menaxheri i Njësisë së Kompanisë Publike “ Hidrodrini” në Klinë, Halil Berisha.

Këto projekte janë në fazën përfundimtare dhe shumë shpejt do të jenë në shërbim të qytetarëve pasi qe ka mbetur vetëm montimi i pompave të ujit. Njëherësh, gjitha kyçjet ilegale do të eliminohen. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, thotë se prioritet i qeverisjes lokale është sigurimi i ujit të pijshëm për qytetarët si element jetik.

“Më këto projekte pothuajse rrumbullakohet zgjidhja e problemit të ujit gati në të gjitha fshatrat e Komunës së Klinës. Po punojmë më përkushtim që të lehtësojmë sa më shumë jetën e qytetarëve tanë në zonat rurale që kanë mungesë uji”, thotë Bashota sipas të cilit në prioritet janë edhe fshatrat e Lugut të Drinit.

Përveç këtij projekti të madh kapital dhe shumë të rëndësishëm në infrastrukturën ujore, në fazën e dytë, parashihet edhe rregullimi i ujësjellësve në fshatrat Caravikë, Qabiq, Zabergjë, Gllarevë dhe Përqeve, ku janë paraparë rreth 700 mijë euro. Bashota falënderon partnerët që kanë ndihmuar në realizimin e këtyre projekteve dhe Njësinë “ Hidrodrini” në Klinë, për punën dhe angazhimin që po bën për këto projekte.

 

 

Me respekt,

Agron G. Gashi

Asistent administrativ në kabinetin e kryatrit të komunës

Komuna e Klinës

039 471 306