Mbetet në fuqi masa e paraburgimit për gjashtë të arrestuarit e SKV-së

Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pa bazuar ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurve K.M., P.D., H.K.,K.G.,J.Sh. dhe E.Sh.

Lajme

25/04/2018 15:37

Në këtë mënyrë, Apeli e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 14.04.2018.

Personat në fjalë po dyshohen nga ana e prokurorisë, se kanë kryer në bashkëveprim  veprën penale” Sulm ndaj personit zyrtar, në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 140, paragrafi 3., lidhur me paragrafin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata e Apelit vlerëson se  shkalla e parë, drejt ka gjetur se meqenëse ekziston dyshimi bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të lartcekur, ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj tyre, konfotm dispozitave te nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Të paraburgosurit janë pjesë e organizatës studentore “Studim Kritikë Veprim”, disa nga ta aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këta persona ishin arrestuar në natën mes të enjtes dhe të premtes në parkun e qytetit në Prishtinë ku organizata po festonte tetëvjetorin e themelimit./Lajmi.net/