Mbështetje për ndryshim

Hashim Thaçi dhe Agim Çeku vazhduan fushatën “dorë më dorë” në lagjen Dardania të Prishtinës. Thaçi u nda i inkurajuar me mbështetjen që mori Çeku.

Lajme

25/10/2013 15:42

Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, sot në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në takime “dorë më dorë” me qytetarë, ka kërkuar nga prishtinasit mbështetje masive për kandidatin e PDK-së, Agim Çeku, që Prishtina të shndërrohet në një kryeqytet europian.

“Bashkë me kryetarin e ardhshëm të Prishtinës, Agim Çeku, takuam banorët e “Dardanisë”. Jam jashtëzakonisht i kënaqur për mbështetjen që qytetarët e “Dardanisë” dhe Prishtinës në përgjithësi po i japin Çekut”.

“I inkurajoj që të dalin në mënyrë sa më masive dhe të votojnë Partinë Demokratike, të votojnë për Prishtinën europiane”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, kandidati i PDK’së, Agim Çeku, tha se qytetarët po ia dëshmojnë se do ta ketë mbështetjen e tyre për të ndryshuar Prishtinën.

“Këto takime me qytetarë janë mënyra më e mirë, më njerëzore dhe më e drejtpërdrejtë, për t’i përcjellë mesazhet më të mira tek qytetarët. Dhe vërtetë qytetarët po e mirëpresin”.

“Kudo që po shkojmë, po e shohim se kemi mbështetjen e duhur nga qytetarët, po gëzojmë mbështetjen edhe nga rrethi i gjerë i tyre familjarë”, ka thënë Çeku.

Fitorja e PDK’së, sipas tij, është e sigurt dhe “qytetarët do të jenë pjesë e saj”.