Mbështetja e vlerësuar e UNDP’së

Koordinatori i UNDP’së, Andrew Rusell tha se kjo marrëveshje me është e rëndësishme sepse ajo përfaqëson një epokë të re në marrëdhëniet në mes të UNDP’së dhe institucioneve të Kosovës.

Lajme

11/12/2013 18:06

Sot është nënshkruar marrëveshja e parë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP’së.

Marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve është nënshkruar nga  Ministrja e Integrimit Europian, Vlora Çitaku, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe nga Përfaqësuesi Rezident i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara  Andrew Russell.

Sipas Ministres Çitaku nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje  kontribuon në forcimin e lidhjes së punës së UNDP’së në Kosovë me programin dhe prioritetet e institucioneve të Kosovës.

“Jam shumë e gëzuar që sot nënshkruam marrëveshjen e parë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP’s”.

“Marrëveshja paraqet një hap substancial përpara në marrëdhëniet tona në të ardhmen si dhe partneritetin që e kemi pasur deri më tani”.

“Gjatë viteve të fundit, UNDP ka mbështetur shumë procese të rëndësishme në Kosovë, siç janë investimet në kapitalin njerëzor, në mjedis, në krijimin e vendeve të reja të punës, në reformën e administratës publike, etj”. 

“Vlera totale e asistencës së zbatuar nga UNDP’ja që nga viti 1999 e kalon shumën prej 200 milionë dollarë”.

“Së bashku më UNDP’n, ne jemi dakorduar që prioritetet tona të janë: qeverisja demokratike zhvillimi dhe rritja ekonomike gjithpërfshirëse, dhe  qëndrueshmëria mjedisore”.

“Gjatë periudhës 2011-2015 pakoja financiare e UNDP’s arrin vlerën prej afro 52 milionë dollarë. Deri në fund të këtij viti, janë shpenzuar tani më rreth 30 milionë dollarë. Në këtë drejtim, më lejoni të theksoj që asistenca e çmueshme e ofruar nga UNDP ka një rëndësi të madhe për Qeverinë, rrjedhimisht, ne shprehim gatishmërinë tonë për të ofruar partneritet të plotë për vitet në vijim”

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Nga ana e tij, Koordinatori i UNDP’së, Andrew Rusell tha se kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse ajo përfaqëson një epokë të re në marrëdhëniet në mes të UNDP’së dhe institucioneve të Kosovës.

“Shumë ka ndryshuar në dekadën e fundit dhe ne në bashkësinë ndërkombëtare duhet të pranojmë se roli dhe misioni ynë duhet të ndryshojë dhe duhet të bëhet më mbështetës”.

“E ardhmja e Kosovës duhet të udhëhiqet nga kosovarët. UNDP është e angazhuar në radhë të parë që të fuqizojë kosovarët që të marrin udhëheqjen e procesit të zhvillimit”.

“Praktikisht , kjo do të thotë se UNDP’ja është e angazhuar për forcimin e kapaciteteve kombëtare për të koordinuar ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë”.

“Nuk ka asnjë dyshim në lidhje me vizionin – vizioni ynë është i qartë dhe i përbashkët – paqë dhe prosperitet për të ardhmen në kuadër të familjes së BE-së, të zhvillimit që nuk përjashton askënd, që krijon mundësi dhe shpresë për të gjithë kosovarët, çfarëdo qoftë prejardhja e tyre.”