Mbes me shpresë për fitore

Sali Morina thotë se aktualisht Malisheva është ndër komunat më të varfra të Kosovës, e cila ballafaqohet me probleme të shumta. Ai thotë se LDK ka një plan për përmirësimin e gjendjes së rëndë në këtë qytet.

Lajme

27/10/2013 12:33

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Malishevën, Sali Morina, thotë se prioritetet kryesore të tij, në rast se fiton garën, do të jenë zhvillim ekonomik, arsimi, krijimi i një administrate profesionale, pa nepotizëm dhe pa korrupsion.

Ai thotë se aktualisht Komuna e Malishevës, është ndër komunat më të varfra të Kosovës, e cila ballafaqohet me probleme të shumta.

Morina thotë se LDK ka  përgatitur një strategji për përmirësimin e gjendjes në këtë komunë.

“Në radhë të parë ne ofrojmë një program për zhvillim ekonomik, me theks të veçantë, punësimin, por jo punësimin e të rinjve sepse komunat nuk bëjnë punësime por, përgatisim strategji për tregun e punës për të rinjtë dhe nxitjen e tyre, që të jenë konkurrent për tregun e punës”.

“Komuna e Malishevës, është njëra prej komunave më të varfra në Kosovë, ka shumë probleme dhe ne kryesisht në saje të këtyre problemeve, ne jemi ballafaquar, përpos zhvillimit ekonomik, përparësi t’i kushtojmë dhe shëndetësisë dhe kjo komunë veç dihet se ka pasur probleme të shumta”.

“Sidomos me ethet hemorragjike dhe pickimi i rriqrave, e që është njëra prej dukurive negative, me të cilën po ballafaqohen qytetarët e komunës së Malishevës”.

Morina thotë se në kuadër të programit të LDK’së, ata kanë iniciuar dhe një strategji, me të cilën do të bashkëpunojnë dhe me nivelin qendror, për të parandaluar ethet hemorragjike, të cilat paraqesin një problem mjaft serioz në këtë komunë.

“Në programin tonë do t’i japim përparësi arsimit, nuk do të ketë nepotizëm siç ka ndodhë deri më tani, por do të respektohet kualiteti”.

Morina shprehet i sigurt në fitoren e partisë së tij.

“Kësaj radhe jam i sigurt se do të jemi fitues në këto zgjedhje”.

“Mbes me shpresë për të marrë besimin e qytetarëve. Realisht për LDK’në dhe për mua gjendja është jashtëzakonisht shumë më e mirë, në krahasim me zgjedhjet tjera që kanë qenë deri më tani”.

(Kosovapress, lajmi.net)