Mbahet takimi final i jurisë së Albanian ICT Awards, më 28 Prill shpallen fituesit e edicionit të pestë

U mbajt takim i dytë dhe final i Jurisë së edicionit të pestë jubilar të Albanian ICT Awards, kur 35 kandidatë të ftuar nga juria prezantuan projektet e tyre me një objektiv të qartë: rrëmbimin e një prej tetë çmimeve të këtij viti.

Lajme

18/04/2017 10:44

Të gjendur përballë një sfide të vërtetë, ata jo vetëm demostruan projektet e tyre por detyra më e vështirë ishte mbrojtja e inovacioneve përballë një jurie me një profesionalizëm të lartë.

Juria si gjithmonë e vëmendshme ndaj detajeve, ka adresuar pyetje të ndryshme kandidatëve pretendentë për të fituar çmimet e mëdha të ICT Awards nga mbare trevat shqipfolëse.

icta_jury

Numri i lartë i aplikimeve në edicionin e pestë të Albanian ICT Awards prej 106, dëshmon edhe njëherë tjetër për vlerat në rritje të komunitetit TIK. Risi e këtij viti ka qenë edhe pjesëmarrja e lartë e femrave në TIK, e cila tregon se hendeku gjinor në industrinë e teknologjisë po vjen duke u ngushtuar.

Kategoria ICT Inovacioni i vitit ka qenë surpriza e këtij viti me një numër rekord aplikimesh mjaft cilësore.

Rezultatet e këtij takimi final të Jurisë që do të prodhojë listën e ngushtë të projekteve më të mira, finalistëve dhe të ftuarve në mbrëmjen jubilare Gala të Albanian ICT Awards e cila do të mbahet të Premten e datës 28 Prill 2017 pranë Sheraton Hotel Tirana.