May: Ka shumë mundësi që pas sulmit ndaj ish agjentit rus të jetë Moska

Kryeministrja britanike tha se “ka shumë mundësi” që Rusia të jetë pas sulmit ndaj një ish spiuni rus dhe vajzës së tij, të cilët vazhdojnë të jenë në gjendje kritike në spital, pas kontaktit me një agjent nervor rreth një javë më parë, në qytetin Salisbury, në Anglinë Jugore, ku ata jetojnë. Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Trump i tha gazetarëve, se ai do të bisedojë sot në telefon me kryeministren Britanike për këtë çështje.

Bota

13/03/2018 16:22

Ekipe specialistësh të armëve biologjike dhe kimike kanë punuar pa pushim këto ditë në vendin ku ndodhën sulmet e 4 marsit kundër ish spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia.

Kryeministrja britanike Theresa May i tha të hënën ligjvënësve se është identifikuar substanca që ka shkaktuar helmimin, e cila i përket një grupi agjentësh kimikë që përdoren në ushtri, të njohur si “Novichock” dhe që prodhohet nga Rusia.

“Rusia e ka prodhuar më parë këtë agjent dhe mund ta prodhojë përsëri. Në të kalurën shteti rus ka autorizuar vrasje. Vlerësimi ynë është se Moska i sheh disa tradhtarë të saj si objektiva të ligjshme për t’u vrarë. Bazuar në këto, qeveria jonë ka arritur në përfundimin se ka shumë mundësi që Rusia të jetë përgjegjëse për sulmin ndaj Sergei dhe Yulia Skripalit.”– tha zonja May.

Kryeministrja britanike tha se ka vetëm dy shpjegime për sulmin.

“Ose ky ka qenë një veprim i drejtpërdrejtë nga shteti rus kundër vendit tonë, ose qeveria ruse ka humbur kontrollin e agjentit nervor me aftësi katastrofike dhe ka lejuar që ai të bjerë në duart e të tjerëve.”– tha zonja May.

Zonja May kërkoi që Moska t’i japë informacion të plotë për programin “Novichock” Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, deri në fund të ditës së martë, në të kundërt, ajo paralajmëroi për “masa të forta”, të paspecifikuara.

Analistët thonë se kryeministrja britanike ndodhet nën një presion gjithnjë e më të madh për këtë çështje.

“Për të treguar se Britania e Madhe e merr shumë seriozisht këtë çështje dhe kjo pjesërisht ngaqë kur ajo ishte Sekretare e Brendshme dhe më parë, reagimi britanik ndaj vrasjes së ish spiunit tjetër rus, Alexander Litvinenko, në Londër, u konsiderua si “i dobët”, thotë analisti Ian Bond.

Analisti Bond thotë se përgjigja e menjëhershme e Britanisë mund të sjellë dëbimin e disa punonjësve të ambasadës ruse dhe vendosjen e sanksioneve financiare ndaj disa njerëzve të afërt me presidentin rus Putin, të cilët kanë pasuri në Britaninë e Madhe.

Mundësi të tjera që janë duke u shqyrtuar si përgjigje, përfshijnë bojkotimin e Kampionatit Botëror të Futbollit këtë vit në Rusi dhe ndalimin e madias shtetërore të Kremlinit.

Ministria e Jashtme e Rusisë thirri sot për takim ambasadoren britanike në Moskë, Maria Zakharova. Në një konferencë me gazetarët, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mohoi përgjegjësinë e Moskës.

“Ne do të bashkëpunojmë me Britaninë, në se na jepen mostra të agjentit nervor që mendohet të ketë shkaktuar helmimin e Skripalëve. Rusia nuk mund të fajësohet për këtë. Londra do të ishte mirë të vepronte bazuar tek detyrimet ndërkombëtare, para se të japë ultimatume”, tha Ministri i Jashtëm rus.

Britania, ndërkohë, po përpiqet të koordinojë një përgjigje për këtë çështje me aleatët perëndimorë. Sot kryeministrja britanike do të ketë një bisedë telefonike me Presdentin Trump. I pyetur nga gazetarët në Uashington, zoti Trump tha se do të dënonte autorët e sulmit me agjentë kimikë, cilëtdo qofshin ata:

Më duket se bazuar tek faktet, britanikët besojnë se sulmi mund të jetë kryer nga Rusia. Nuk di akoma në se kanë arritur në një përfundim, por sot pres të më telefonojë kryeministrja britanike Tereza May”. – tha Presidenti.

Hetuesit në Britani janë duke u përpjekur të zbulojnë vendet ku kanë qenë Sergei Skripal me vajzën e tij ditën e sulmit. Edhe polici që u ndodh në skenën e krimit është gjithashtu në gjendje të rëndë.

Analistët thonë se konfirmimi që ky të ketë qenë një sulm kimik me agjent nervor në tokën britanike, ka shtuar pritshmërinë për një përgjigje të ashpër.