Mavraj: 1 tetori 97, koha më e lavdishme

Njëri prej organizatorëve të protestave studentore të vitit 1997, Muhamet Mavraj, ka treguar se prej asaj kohe kishte filluar të flitet ndryshe në Kosovë dhe për Kosovën.

Lajme

01/10/2016 13:24

Ka rikujtuar se ajo kohë ishte me e lavdishmja edhe për shkak të unitetit veprues në tërë vendin.

Ai  gjithashtu ka përkujtuar edhe studentët dëshmorë, duke i dhënë respekt e përkujtim rektorit Statovci.

 

Lexojeni të plotë reagimin e Muhamet Mavrajt:

 

Sot është përvjetori i 19-të i protestave të 1 tetorit 1997. Dëshiroj me gjithë zemër t’ua uroj këtë ditë të gjithë pjesëmarrësve të protestës në të shtatë qendrat e mëdha të Kosovës, ku kishim fakultete dhe shkolla të larta (Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren e Gjilan); Urime të gjithë studentëve, profesorëve, qytetarëve patriotë që u solidarizuan pavarësisht presioneve të forta politike, patriotëve të patundur të lëvizjeve kombëtare brenda e jashtë vendit, institucioneve fetare të të gjitha besimeve tona që u solidarizuan plotësisht me ne. Me gjithë shpirt përkujtoj studentët dëshmorë, uroj familjet e tyre dhe i jap respekt e përkujtim rektorit Statovci.

Miq, më sa di, deri më sot, ajo ditë ka qenë dita më e madhe e unitetit veprues, pavarësisht ndonjë rasti të izoluar. Aty ishim të gjithë. Më pas filloi të flitet ndryshe në Kosovë e për Kosovën. Urime!

Për rastësi, sot është numri 5000 i gazetës “Epoka e re”, të cilën e udhëheqin plotësisht stafi i atyshëm, plotësisht të lirë dhe në mënyrën e tyre. Përgëzoj ata, të gjithë gazetarët e mëparmë dhe lexuesit dashamirë!