Matoshi: Qeveria Haradinaj nuk i frikësohet mocionit të opozitës

Qeveria Haradinaj nuk është se e nisi mbarë funksionimin e saj, kjo duke u bazuar në atë se opozita po ‘kërcënon’ se qeveria e re nuk do të ketë jetë të gjatë pasi medoemos do e rrëzojnë shumë shpejt me mocion.

Lajme

19/09/2017 16:32

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje tani më kanë edhe një deputet të koalicioni PANA në favor  të rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Deputeti i ‘rebeluar’ i PANA-së, Zafir Berisha para dy ditë deklaroi se nëse LDK dhe VV i bëjnë 60 vota, ai do ta jap votën e 61-të për rrëzimin e Qeverisë.

Lajmi.net ka kontaktuar me drejtorin e Zyrës për Informim në Qeverinë Haradinaj, Halil Matoshin i cili tha se nuk i frikësohen mocionit të mosbesimit të qeverisë.

“Çështja e mocioneve është e drejtë kushtetuese dhe demokratike e kujtdo qoftë, opozitës. Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka logjikë dhe sens politik që t’i frikësohet mocioneve”, ka thënë ai.

Kujtojmë, se Qeveria Haradinaj u votua nga 61 deputetë, ndërsa Zafir Berisha abstenoi andaj edhe tani po e shpreh pakënaqësinë e tij duke e mbështetur opozitën për mocion. /Lajm.net/