Matoshi – Gashit: Nëse LDK s’është e gatshme të marrë përgjegjësi, mos ta mbajë vendin të bllokuar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Behgjet Pacolli dhe partia e tij Aleanca Kosova e Re mund të largohen nga koalicioni me LDK-së nëse ata e vlerësojnë se ajo është gjëja e duhur dhe këtë mund ta bëjnë kur të duan, pasi askush “s’po e mban me zor”, në LAA.

Lajme

12/08/2017 22:00

Por, Gashit i është kundërpërgjigjur kryetari i Kuvendit të AKR-së, Fatmir Matoshi.

Ai ka thënë se nëse LDK nuk është e gatshme të marrë përgjegjësi, atëherë mos të provoj ta mbajë vendin e bllokuar dhe të tregoj edhe se çfarë duhet të bëjë AKR-ja.

Matoshi ka thënë se Gashi e ka dhënë votën për zgjedhjen e presidentit në këmbim të gradimit të vëllait në shërbimin diplomatik.

“Deputeti i LDK-së Arben Gashi fillimisht është mirë së pari ta bind vetën që është LDK e pastaj të kujdeset a me lutë presidentin Pacolli të qëndroj në koalicion me LDK. Deputeti Gashi siç e dimë të gjithë ka qenë në LDK edhe kur është zgjedh kryeministri Mustafa dhe ka votuar kundër tij, pra s’e ka respektuar vendimin e partisë. Ndërkohë po i njëjti kishte qëndruar në sallë për ta mundësuar zgjedhjen e presidentit Hashim Thaçi, në shpërblim të një grade diplomatike për vëllaun e tij, i cili pas zgjedhjes se Thaçit president është ngritur në detyrë të zëvendësambasadorit në Ambasadën e Kosovës në Hungari”, është shprehur Matoshi në një prononcim për lajmi.net

Më tej, Matoshi ka thënë se për dallim prej deputetit Gashi, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli i ka lënë interesat personale jashta angazhimit të tij politik.

“Për dallim prej deputetit të LDK-së që nuk po e mbajka me zor AKR-në në koalicion, presidenti Pacolli e ka bërë të qartë dhe deri tani e ka dëshmuar në shumë raste se interesat personale e politike i ka hequr nga tavolina politike kur ka qenë në pyetje interesi i shtetndërtimit të Kosovës. Edhe sot, presidenti Pacolli po vepron me të njëjtin kurs, nuk po flet për grada diplomatike e favore personale por po bënë thirrje për tejkalim të krizës dhe formim të institucioneve për t’u përballur me sfidat qe e presin Kosovën. Nëse LDK nuk është e gatshme të marrë përgjegjësi, atëherë mos të provoj ta mbajnë vendin e bllokuar dhe të tregoj edhe se çfarë duhet të bëjë AKR”, ka përfunduar Matoshi. /Lajmi.net/