Matoshi: Ekstremistët politikë që e kanë luftuar Republikën, po shtiren se po e mbrojnë

Anëtari i AAK-së, Halil Matoshi, ka shkruar një tekst të gjatë, duke dhënë shpjegime se si po luftohet Republika e Kosovës nga ata që më së shumti e kanë luftuar e shkatërrua.

Lajme

10/09/2017 17:26

I ka quajtur ekstremistë politikë, por, nuk ka përmendur as emra dhe as parti politike.

Po luftohet Republika në emën të mbrojtjes së saj nga një tufë kinsepolitikanësh ekstremista, që janë në thelb kundërshtarët ma t’mdhaj të Republikës!”, ka shkruar Matoshi.

Lexojeni të plotë statusin e Matoshit:

Popullizmi: Të flasësh me zemrën e turmave!

Popullizmi nuk e ka zgjidhur asnjë problem të popujve e shteteve, porse shumë sosh i ka shpënë në luftë dhe shkatërrim. T’u japësh mbështetje shqetësimeve emotive të njerëzve të zakonshëm, kjo domethënë ta shpiesh shtetin në qorrsokak, duke legjitimuar paligjësinë dhe duke e suspenduar Kushtetutën.

Duke qenë se konstituimi shpirtëror i shoqërisë kosovare është bërë nën postulatet e Kanunit të Maleve, në oda dhe nën diktatin e betë e pleqve të fiseve, është e qartë se popullizmi identifikohet me folklorin më në fund.

Idetë dhe aktivitetet politike nga e djathta ose e majta, e që kanë për qëllim të marrin mbështetjen e njerëzve të rëndomtë, në teori quhen popullizëm.

T’u mëshosh fort retorikave etnonacionaliste, askush s’pyet për rezultatin final, porse të gjithë ekzaltohen – gjatë evokimit për dëshirat e tyre të ndrydhura – duke u dhënë turmave atë që duan, përafërsisht ky është popullizmi.

Popullizmi është të folurit me shpirtin e turmave, porse në aspektin kushtetues është i rrezikshëm – prandaj burrat dhe gratë e shtetit duhet t’ia mbajnë anën mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe jo të njëjtësohen me turmat, me trurin në muskuj!

Në kontekstin kosovar, popullizmi përthith të gjitha energjitë kombëtare, duke i dhënë vendit vetëm mjerim.

Shoqnia kosovare po dëshmohet e paaftë me u përballë me veten prandej ka marrë arratinë tuj ra gjithnji e ma dendun viktimë e politikave paranojake, izolacioniste dhe vetshkatërruese të atyne që në emen të mbrojtjes së Kosovës po përpiqen me e poshtnue!

Etnonacionalizmi turbofolklorik që ka shpërthy ditëve të fundit në media, në rrjetet sociale dhe ç’asht ma e liga, në Kuvendin e Kosovës, duke i kercënu verbalisht qytetarët kosovarë të etnisë serbe si dhe duke i nderliëhe me Beogradin politik, gratë dhe burrat e Kosovës që sot, nën drejtimin e Ramush Haradinajt, i janë vu në shërbim atdheut, po i qet nam t’zi Republikës!

Po luftohet Republika në emën të mbrojtjes së saj nga një tufë kinsepolitikanësh ekstremista, që janë në thelb kundërshtarët ma t’mdhaj të Republikës!

Fundja, nacionalizmi âsht paranojë, kolektive dhe individuale (D.Kis) dhe si i tillë s’â gjâ tjeter pos kiç!