Matoshi dhe Bahtiri bashkë me qytetarë pastrojnë Mitrovicën, dalin edhe në pjesën veriore

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot së bashku me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri kanë marrë pjesë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”.

Lajme

16/09/2018 15:37

Matoshi ka thënë para qytetarëve se komuna e Mitrovicës dhe e gjithë Kosova do të jenë më të pastra, falë vullnetit të të gjithëve.

“Jemi këtu në komunën e Mitrovicës  për dy tema të cilat lidhen me shëndetin tonë dhe kualitetin e jetës sonë. E para ka të bëjë me ajrin dhe ruajtjen e cilësisë së ajrit, që ne si Ministri e Mjedisit, organizojmë javën pa makina që po e fillojmë në Mitrovicë dhe do të zgjasë deri më 22 shtator në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës. Po ashtu jemi këtu për t’i dhënë mbështetje edhe aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’ që e kemi filluar dje dhe do vazhdojë deri më 22 dhjetor”, ka thënë Matoshi.

Ai ka falënderuar gjithë qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve, Bashkësitë Fetare, FSK-në dhe KFOR-in për mbështetje në këtë aksion nacional për pastrimin e vendit.

Ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se kjo komunë do t’u ngjajë komunave evropiane.

“Sot jemi mbledhur këtu së bashku me ministrin Matoshi për të qenë gjithmonë afër qytetarëve  dhe për të filluar aksionin për pastrim. Sot kemi dy aktivitete,  i pari për pastrimin e Mitrovicës dhe i dyti do udhëtojmë me biçikleta ose në këmbë për të mbrojtur mjedisin. Mitrovica do t’i ngjajë komunave evropiane dhe si të tillë do ta ruajmë” është shprehur ai.

Matoshi dhe Bahtiri, kanë filluar aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” duke përshkruar rrugën nga objekti i komunës se Mitrovicës, deri te rrethi në pjesën veriore gjë të cilën e kanë bërë me biçikleta.