Mathieu e do veç Barcelonën

Jeremy Mathieu është i vendosur të largohet nga Valencia për t’iu bashkuar Barcelonës. Ai e ka falënderuar klubin e deritashëm, duke insistuar se ka ardhur koha që ta bëjë hapin e radhës në karrierë.

Sport

18/07/2014 00:55

Jeremy Mathieu e ka lëshuar një komunikatë, duke kërkuar nga Valencia që ta shesë në Barcelonë. Mbrojtësi francez ka shkruar kështu:

“Nuk e kam pasur kurrë ndërmend të konfrontohem me Valencian, duke e pasur parasysh dashurinë dhe respektin që e kam për këtë klub dhe për këta tifozë të mahnitshëm”, shkroi fillimisht ai.

“Këtu i kam kaluar pesë sezone dhe jam mirënjohës për besimin që më është dhënë. Nuk e fsheh faktin se për mua Barcelona është një hap përpara në karrierë në të gjitha aspektet, një mirënjohje për sakrificat e mia”, vazhdoi ai.

“Ky transferim do të kishte benificione për të gjitha palët e përfshira. Këtu cikli është i përfunduar dhe do ta mbaj atë gjithmonë në zemër”, vijoi Mathieu.

“Dua vetëm respekt dhe mirëkuptim. Sezonin e kaluar, kur e kam vazhduar kontratën, presidenti më ka premtuar se do më lëshojë të largohem për një ofertë të mirë. Dhe, kjo është mundësia ime”, përfundoi ai.