Matematikisht në lojë, Argjentina kualifikohet nëse…

Nëse Islanda kalon Nigerinë, atëherë Argjentina do të ketë telashe.

Sport

22/06/2018 12:54

Mbrëmja e 21 qershorit ishte ndoshta më e errëta për Argjentinën në historinë e Kupave të Botës.

Skuadra e Sampaolit pësoi një humbje turpëruese nga Kroacia 0-3, e rrezikon seriozisht që të mos e kalojë fazën e grupeve në Botërorin e Rusisë.

Argjentina ka vetëm një pikë pas dy ndeshjeve, e do të jetë e detyruar të fitojë ndeshjen ndaj Nigerisë, por kjo mund të mos mjaftojë. Fatet e “Albiceleste”-ve do të përcaktohen sot pas ndeshjes së orës 17:00.

Nëse Islanda kalon Nigerinë, atëherë Argjentina përveçse duhet të fitojë ndaj nigerianëve me shumë gola diferencë në sfidën e fundit, do të duhet të shpresojë edhe në një humbje të Islandës ndaj Kroacisë. Nëse kjo ndodh, Argjentina e Islanda do të kenë 4 pikë dhe do të merrte vlerë golavarazhi.

Nëse ndeshja mes Islandës e Nigerisë përfundon në barazim, Argjentina duhet të fitojë me afrikanët dhe të shpresojë në një barazim ose fitore të Kroacisë ndaj Islandës, transmeton “TCH”.

Opsioni i fundit është edhe më i mirë për skuadrën nënkampione të botës, e ka të bëjë me humbjen e Islandës ndaj Nigerisë. Në këtë pikë, Argjentinës do t’i duhet të fitojë me shumë gola diferencë ndaj nigerianëve dhe të shpresojë që Kroacia të fitojë apo të barazojë me Islandën.