Mashtrimi me subvencionet e MKK-së: Kotorri e Berisha deklarohen të pafajshme, Gorani pranon fajësinë

Prishtinë – Ish-sekretarja e përgjithshme në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, Zana Kotorri, është deklaruar e pafajshme në lidhje me veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, “mashtrim me subvencione” dhe “marrje ryshfeti”, vepra me të cilat e ngarkon Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Lajme

18/09/2017 12:18

E akuzuara tjetër në këtë rast, Ardiana Gorani e pranoi fajësinë për dispozitivin e tretë të aktakuzës, që Goranin e ngarkon me veprën penale të mashtrimit, ndërsa sa i përket dispozitivit të parë, që e ngarkon me veprën e dhënies së ryshfetit, Gorani, u deklarua e pafajshme.

Edhe Hana Berisha, që nga PSRK-ja, ngarkohet me veprat penale të “mashtrimit me subvencione” dhe “dhënie ryshfeti”, u deklarua e pafajshme.

Para leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Haki Gecaj, mbrojtësi i të akuzuarës Zana Kotorri, avokati Xhafer Maliqi, tha se aktakuza e ndryshuar nga ana e prokurorisë, ka paqartësi dhe kundërthënie mes pikës I dhe pikës II, e të cilat pika kanë të bëjnë me kohën e kryerjes së veprës penale.

Edhe avokati Afrim Salihu, që në këtë rast mbron të akuzuarën, Ardiana Gorani, tha se aktakuza e prokurorisë, nuk e precizon kohën e saktë të kryerjes së veprës penale, andaj kërkoi nga trupi gjykues, i kryesuar nga ana e gjyqtarit Valon Kurtaj, që ta detyroi prokurorinë që të bëj precizimin e saktë të kohës së kryerjes së veprës penale.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Haki Gecaj kundërshtoi propozimet e mbrojtësve dhe kërkoi nga ana e trupit gjykues, që propozimet e tilla t’i hedh poshtë.

Trupi gjykues, vendosi që të refuzojë propozimet e mbrojtësve dhe vendosi që gjykimi të vazhdojë me aktakuzën aktuale.

Në fjalën e tij hyrëse, prokurori Gecaj tha se aktakuza e ngritur është e bazuar, si dhe provat, dëshmitarët dhe të dëmtuarit që janë propozuar nga ana e prokurorisë, do të vërtetojnë gjendjen faktike dhe se në fund, të akuzuarat siç tha prokurori, do të shpallen fajtore.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Kotorri, avokati Xhafer Maliqi, në fjalën e tij hyrëse, tha se aktakuza e prokurorisë është e bazuar në prova të parëndësishme dhe të pambështetura.

Tutje, Maliqi shtoi se aktakuza mbështetet edhe në deklaratën e të akuzuarës Gorani, e cila sipas avokatit, është përplot kundërthënie dhe si e tillë nuk ka kredibilitet në këtë procedurë penale.

Një pohim të tillë të avokatit Maliqi, e mbështeti edhe e akuzuara Gorani, e cila theksoi se deklarata që ka dhënë në prokurori nuk pasqyron të vërtetën, pasi që atë deklaratë e kishte dhënë në gjendje irritimi, pasi që ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Ferizaj, në një rast tjetër penal.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarës Gorani, avokati Afrim Salihu theksoi se provat e prokurorisë janë në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike dhe këtë trupi gjykues, sipas tij, do ta vërtetojë pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe të të dëmtuarve.

Ndryshe, shqyrtimi i së hënës u zhvillua pasi që për pesë herë me radhë ishin shtyrë seancat e parapara për këtë rast, për arsye të ndryshme.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 29 shtator 2017, ora 9.00.

Aktakuza e ngritur nga prokurori Besim Kelmendi, e ngarkon Zana Kotorrin, që në cilësinë e sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në bashkëpunim me Hana Berishën, kanë marrë pjesë në bashkim kriminal.

Sipas aktakuzës, Kotorri dhe Berisha ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga kjo ministri dhe pastaj, shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë, ashtu që gjysmën e shumës ta marrë e pandehura Kotorri dhe gjysmën tjetër, e pandehura Berisha.

Sipas aktakuzës, përmes Hana Berishës, e pandehura tjetër Ardiana Govori, kishte rënë në kontakt me Zana Kotorrin, e ku kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione, të pandehurës, Govori.

66.465.00 euro ishte shuma e subvencionit të projektit të shoqatës SHIPPL, me emër “Duam dhe mundemi së bashku”, e të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë, të pandehurat i kishin ndarë mes tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.00.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e kishte marrë, Ardiana Govori.

Në aktakuzën që tashmë e përfaqëson, prokurori Haki Gecaj, theksohet gjithashtu se të pandehurat, për çdo përfitues të subvencioneve kërkonin përqindje që shkonte nga 30 deri në 50 %, nga shuma e subvencioneve.

Mbi këto fakte, Prokuroria akuzon të pandehurat, Kotorri, Berisha dhe Govori, se në bashkim kriminal, kanë kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencionet, ndërsa Zana Kotorri akuzohet edhe për veprat, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”. Hana Berisha dhe Ardiana Govori, ngarkohen gjithashtu edhe me veprën penale, “dhënia e ryshfetit”.