MASHT shpenzon mijëra euro për revistën që nuk shpërndahet

Qëkur ka filluar të botohet para dy vjetësh, vetëm një numër i revistës “Mësuesi i Kosovës” është shpërndarë në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë. Për nxjerrjen e kësaj reviste Ministria e Arsimit harxhon 19 mijë euro në vit.

Lajme

06/09/2014 10:19

Sado që botimi i saj bëhet në baza mujore dhe llogaritet të shpërndahet falas, drejtori i kësaj shkolle, Osman Vitia, ka thënë se nuk kanë qasje në të.

“Kjo revistë e ministrisë nuk vjen. Nëse nuk gaboj njëherë ka ardhur një numër i saj dhe pastaj është ndërprerë. Nuk e kemi parë më. Nuk mund të flasim për të derisa nuk e kemi pasur ta studiojmë, por nëse do të sillte metodologji të punës mbase do t`i kontribuonte kuadrit mësimor”, ka thënë ai.

Edhe drejtoresha e shkollës fillore “Emin Duraku”, Valbona Hadri, ka thënë se revistën “Mësuesi i Kosovës” vetëm dy herë e kanë parë në shkollë, madje para dy vjetësh. “Nuk e di se kujt ia dhurojnë atë revistë, por në shkollën time vetëm dy herë ka ardhur edhe atë kur ka dalë prej fillimit. Tash është harruar, bile as edhe njëherë nuk e kemi pasur në dorë prej asaj kohe”, ka thënë ajo.

Ngjashëm është shprehur edhe Hevzi Ramadani, zëvendësdrejtor i shkollës fillore “Musa Zajmi” në Gjilan. Ai ka thënë se kjo revistë nuk u është shpërndarë asnjëherë në shkollë.(Koha Ditore)