MASHT mbyll 11 çerdhe private

Fehmi Krasniqi thotë se MASHT ka licencuar 60 institucione shkollore. Sipas tij, vendimi vjen pas kërkesës së madhe të prindërve. Megjithatë Krasniqi vlerëson se as këto çerdhe nuk ofrojnë kushte të volitshme.

Lajme

01/06/2014 13:32

Ministria e Arsimit ka vendosur që të mbyllë 11 çerdhe private në Kosovë, pasi nuk kanë përmbushur kushtet teknike të objektit.

Ndërsa, përgjigje pozitive kanë marrë 60 institucione parashkollore private, raporton Radio Kosova.

Zyrtari për arsim privat parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fehmi Krasniqi tha për Radio Kosovën se prej tyre kanë marrë përgjigje negative 11 institucione, vendime pozitive 60 çerdhe, ndërsa të tjerat kanë aplikuar me vonesë.

“Ato që janë refuzuar nuk i kanë plotësuar kushtet e objekteve. Komisioni i përbërë nga pesë anëtarë ka shkuar dhe ka vizituar këto institucione. Nga 90, janë vizituar 71 sosh, ndërsa të tjerat kanë aplikuar me vonesë, që janë në shqyrtim\”.

“Prej tyre janë 60 që janë licencuar që i plotësojnë jo kushedi çfarë kushte, por për shkak të kërkesave të mëdha të prindërve, i kemi licencuar për një vit, disa prej tyre me vërejtje që duhet t’i plotësojnë, ose herën tjetër nuk do t’i marrin licencat”, tha Krasniqi.

Ai bëri të ditur se për çerdhet që kanë punuar pa licenca deri tani nuk janë marrë masa. Por, pritet që pas përgjigjeve negative që kanë marrë ato të mbyllen nga inspektorati i Ministrisë së Arsimit.

“Zakonisht, me udhëzim administrativ nuk kanë të drejtë të fillojnë punën pa u licencuar. Por, për shkak se po hezitojnë pronarët e këtyre institucioneve të aplikojnë para se të dinë se sa fëmijë do t’i kenë në kopsht, për këtë arsye po presin njëherë se sa fëmijë do të kenë, pastaj po aplikojnë”, shtoi Krasniqi.

“Ministria e Arsimit pajtohet se arsyeja pse deri tash nuk janë mbyllur çerdhet që punojnë pa licenca ka të bëjë me kërkesat e mëdha të prindërve.

“Kriteret që duhet të plotësojnë institucionet parashkollore për licencim janë të përcaktuara në udhëzimin administrativ 6/2011. Kriteri kryesor është plotësimi i kushteve të objektit, për arsye të sigurisë së fëmijëve, pastaj kriter tjetër është niveli edukativ-arsimor i stafit\”.