MASHT-i jep qindra mijëra euro për OJQ-në ku punon djali i ministrit

Ministri Arsim Bajrami ka vendosur firmën e tij për kredinë milionëshe që ka marrë në emër të Republikës së Kosovës nga Banka Botërore përderisa nga këto mjete OJQ-së, ku punon djali i tij, i ka dhënë kontratë në vlerë prej 234 mijë eurosh. Gazeta “Zëri” ka zbuluar projektet milionëshe që i menaxhon Kushtrim Bajrami, djali i ministrit Arsim Bajrami

Lajme

03/07/2017 08:39

 

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në emër të Republikës së Kosovës ka nënshkruar një kredi në vlerë prej 2 milionë dollarëve amerikanë nga Banka Botërore për nënkompotentën e granteve për Zhvillim të Shkollave në Kosovë.

Por nga kjo kredi, të cilën obligohen që ta paguajnë taksapaguesit kosovarë, Ministria që e drejton Arsim Bajrami ia ka ndarë 234 mijë euro organizatës ku punon si menaxher i projekteve Kushtrim Bajrami, djali i ministrit Arsim Bajrami. Bëhet fjalë për një kontratë të nënshkruar nga Fondi i Kredisë i Bankës Botërore me organizatën joqeveritare – Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), ku kjo organizatë gjatë viteve në vijim do t’i ofrojë ndihmë shkollave kosovare se si ta përgatisin dokumentacionin për të fituar grante nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Gazeta “Zëri” ka bërë një hulumtim disajavor në lidhje me fondet që i përfiton organizata joqeveritare – Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), e cila drejtohet nga Dukagjin Pupovci dhe ku që nga viti 2012 punon si menaxher i projekteve Kushtrim Bajrami, djali i ministrit në detyrë të Arsimit, dhe ka zbuluar se kjo OJQ edhe më herët ka përfituar fonde të majme nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, si dhe nga donatorë të shumtë ndërkombëtarë.