Mascherano mbron Messin

Javier Mascherano mbron bashkëlojtarin e tij nga Argjentina dhe Barcelona, Lionel Messi dhe ua përkujton të gjithë atyre që e kritikojnë atë, se sulmuesi shënon rregullisht nga 40 gola në sezon.

Sport

28/05/2014 20:25

Javier Mascherano është një prej futbollistëve kryesorë në ekipin e Argjentinës, kandidat për titullin e kampionit në Brazil 2014.

Kapiteni i dytë i Kombëtares, pas bashkëlojtarit të tij nga Barcelona, Lionel Messi, i ka dalë në mbrojtje sulmuesit, i cili është kritikuar së fundmi për paraqitjet e tij në sezonin që lamë pas.

“Po flasim për një futbollist i cili në periudhën e pesë vjetëve të fundit ka bërë gjëra të pabesueshme, dhe brenda një sezoni shënon nga 40 gola, por prapë thonë se nuk është në rregull”, deklaroi Mascherano për të përditshmen sportive katalane El Mundo Deportivo.

Argjentina kërkon titullin e kampionit të botës në Brazil, dhe shpresat e triumfit varen kryesisht nga forma e Messit, por edhe e Mascheranos që është një tjetër element i rëndësishëm në ekipin e selektorit Alejandro Sabella.