Masat për zgjedhjet e së dielës në Shqipëri

Gjashtë mijë punonjës policie do të angazhohen në procesin zgjedhor të 21 qershorit. Do të sigurohen 90 KZAZ dhe 5299 qendra votimi në të gjithë vendin para, gjatë dhe pas procesit të votimit, shkruan sot Shqip.

Lajme

20/06/2015 13:21

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit publikoi dje masat që do të marrë për zgjedhjet lokale, ndërsa saktësoi se do të respektojë të drejtën e çdo personi për një votim sa më paqësor, apo subjektet politike.

Ndërkohë, janë publikuar edhe oraret kur policët do të shkojnë në KZAZ, të cilat do të ruhen pothuajse 24 orë. Ai tha se gjatë fushatës, janë referuar 21 raste në prokurori, por për incidente të lehta, si grisje posterash, vjedhje apo dëmtime të zyrave elektorale.

Nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato, sqaroi se janë trajnuar 6.699 punonjës policie në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Tiranë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

“Gjatë kësaj periudhe janë marrë masat për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e 2.396 aktiviteteve elektorale të subjekteve politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor. Theksojmë faktin se gjatë zhvillimit të këtyre takimeve elektorale nuk është shënuar asnjë incident i rëndë apo ngjarje kriminale, por gjatë kësaj periudhe që përfshinë fushatën elektorale janë evidentuar dhe referuar në prokurori 21 raste që kanë të bëjnë kryesisht me grisje posterash, vjedhje apo dëmtime të zyrave elektorale”, tha Qato.