Masat e reja të komunikacionit ulin numrin e aksidenteve

Aksidentet e ndryshme të cilat po ndodhin në vend, në shumicën e rasteve sipas raporteve policore kanë si shkas shpejtësinë e madhe të veturave.

Lajme

06/04/2018 17:58

Në pothuajse çdo raport 24 orësh të policisë kemi një shifër e cila tregon se sa aksidente kanë ndodhur në vend në ato orë, prej të cilave disa nga këto aksidente me fatalitet.

Në një përgjigje për portalin lajmi.net zyra për komunikim me publikun në Policinë e Kosovës ka thënë se gjatë periudhës kohorë janar-mars të vitit 2018, kanë ndodhur gjithsej 3410 aksidente numër ky më i vogël sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar që ishte 3211.

“Në këto aksidente 14 nga to kanë qenë aksidente fatale me 17 persona të vdekur, po ashtu ky numër më i vogël në krahasim me vitin e kaluar që ishin 18 aksidente me fatalitet me 21 persona të vdekur”, thuhet në përgjigjen e zyrës së informimit.

Ndër të tjera në këtë periudhë kohore kanë ndodhur 1310 aksident me lëndime me 2661 persona të lënduar numër ky më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar që ishte 1200 aksidente me 2409 persona të lënduar.

“Në këtë periudhë kohore janë shqiptuar 85332 tiketa numër ky më i vogël se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar që ishin shqiptuar 87479 tiketa”, thuhet  në raportin policor.

Analisti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë për lajmi.net se në këtë zvogëlim të numrit të aksidenteve kanë ndikuar masat e reja të komunikacionit.

“Kjo tregon që masat e ndërmarra nga organet kompetente ndaj vozitësve të pakujdesshëm në komunikacion, me rritjen e gjobave në raste ka treguar se po të njëjtën periudhë ka dhënë rezultate të duhura. Është vetëm një nga faktorët të cilët kanë ndikuar në rënien e aksidenteve me fatalitet, por ka edhe shumë faktorë të tjerë që do të duhet që organet kompetente të ndërmarrin masa”, ka thënë ai.

Sipas Islamit edhe faktorët si vetëdijësimi i vozitësve e infrastruktura rrugore ndikojnë në uljen e aksidenteve.

“Faktorë të tjerë që do të ndikojnë në këtë numër janë edhe vetëdijësimi i vozitësve, ngritja e infrastrukturës rrugore që nuk i plotëson kushtet siç duhet për shkak se në shumë vende mungojnë gjërat elementare, si shenjat e komunikacionit dhe vijat aty ku është e ndaluar  tejkalimi, pastaj ngarkesa e madhe automjeteve në rrugë dykahëshe, ku në të ardhmen duhet të punohet në bërjen e autorrugëve ose rrugëve me katër shirita. Kësisoji me siguri se do të bie edhe më tepër numri i aksidenteve me fatalitet dhe me dëme. Shembull rruga Podujevë-Prishtinë, vitin e kaluar e pat marr emrin rruga e vdekjes për shkak se numri i aksidenteve me fatalitet ishte jashtëzakonisht i madh, kështu që ajo rrugë duhet të ketë katër shirita. Pra u fokusova vetëm në këtë për shkak të emrit që kishte marr. Pra nuk është vetëm faktori i masave për ngritjen e gjobave që ka ndikuar në rritjen apo uljen e aksidenteve por janë edhe një sërë faktorësh të tjerë”, ka shtuar Islami./Lajmi.net/