Masakra në Paris, myslimanët shqiptarë në rrjetet sociale pro e kundër

Sulmet ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris ku humbën jetën 12 persona, kanë sjellë një sërë reagimesh dhe në komunitetin shqiptar. 

Lajme

09/01/2015 17:18

Një ndër reagimet më të ashpra është i myslimanëve të rinj të Kosovës, të cilët deklarojnë se vrasja e stafit të gazetës erdhi si pasojë e një racizmi ndaj islamit e për këtë përgjegjëse sipas tyre është qeveria franceze. 

Atentati në Paris ndaj revistës satirike dhe ankthi që mbizotëron në Francë nuk ka mbetur jashtë debatit apo qëndrimeve pro e kundër në rrjetet sociale në Shqipëri e Kosovë. 

Deklarata më e fortë deri në këto momente vjen nga Forumi i të Rinjve Musliman të Kosovës, i cili në qëndrimin e tij, sulmet në Paris ja atribuon keqfunksionimit të qeverisë franceze, e cila sipas tyre në mënyrë të hapur dhe raciste poshtëron myslimanët në Francë. 

FRM është i mendimit se sulmi që atentatorët francezë ndërmorën kundër revistës fashiste “Charlie Hebdo” ka të bëjë me keqfunksionimin e ligjit në Francë. Revista “Charlie Hebdo” prej shumë kohësh fyente arabët, myslimanët dhe minoritetet në Francë, ndërsa ligji francez bënte sehir. 

Sikur ligji të kishte funksionuar në republikën franceze dhe editori Stéphane Charbonnier të ishte burgosur për fyerjet e tij kundër Islamit dhe myslimanëve, kjo tragjedi do ishte evituar. Franca duhet të mësojë nga Kosova dhe ligjet e saj kundër urrejtjes etnike dhe fetare dhe të nisë dhe burgosë propaganduesit fashistë. 

Deklarata e Forumit mbyllet me një mesazh për Ambasadën Franceze në Prishtinë ku thuhet si më poshtë: FRM i apelon ambasadës franceze në Prishtinë, që në raportin e saj që do i çoj Parisit pas deklaratës sonë, të vërë theksin në faktin që Francës i ka ardhur koha të dorëzohet dhe të lërë pas historinë e saj kolonialiste, imperialiste, arrogante dhe islamofobike. 

Një tjetër profil në Facebook, i quajtur “Porosi Profetike” në një postim shkruan pas atentatit në revistën Charli Hebdo: Vritet në Paris personi i cili bëri karikaturën e Muhamedit Sal Allahu. 

Në një tjetër paragraf në këtë postim shkruhet: Allahu i ruajt ata dy vëllezër të cilët bënë mevludin. 

E pas këtij postimi nuk mungojnë komentet ku dallohet qartë se një sërë komentuesish shprehin mbështetje për atentatet. Ndërsa në anën tjetër, ku përfshihen shumica e qytetarëve në Kosovë e Shqipëri, shprehen kundër këtij akti terrorist që ka tronditur botën, dhe po vazhdon të mbajë në ankth, me vrasjet dhe pengjet e reja që po ndodhin sot.