Masakra e Elbasanit: Asnjë gjurmë gishtash në tri armët e krimit

Tri javë pas ngjarjes së Elbasanit, ku u vranë tre persona dhe u plagosën tetë të tjerë, Prokuroria nuk ka asnjë provë që mund të çojë drejt zbardhjes së masakrës.

Lajme

23/02/2016 20:39

Policia shkencore nuk ka gjetur asnjë gjurmë gishtash në tri armët që u gjetën pranë vendit të ngjarjes. Burime nga grupi hetimor i kanë thënë “Ora NEWS”-it se të tri këto armë janë përdorur, por në asnjë prej kallashnikovëve nuk është konstatuar gjurmë gishtash. Kjo tregon se autorët mund të jenë vrasës me pagesë, që janë kujdesur të mos lënë asnjë gjurmë.

Edhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë të objekteve përreth lokalit nuk ka dalë asnjë detaj që mund t’i shërbejë hetimit. Në pamjet e regjistruara prej tyre duken lëvizjet e makinës së autorëve, por nuk mund të shquhet asgjë më shumë.

Një tjetër shpresë e grupit hetimor për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes së rëndë ishte dëshmia e të plagosurve, por burimet bënë të ditur se asnjë prej tyre nuk kanë dhënë ndonjë detaj duke pretenduar se nuk i kanë njohur autorët, pasi ata kanë qenë të maskuar.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 3 shkurtit në një lokal në Elbasan. Sipas dëshmitarëve, vrasësit kanë qenë me kapuç dhe dorashka dhe kjo ka bërë që në armë të mos mbeten gjurmë gishtash.

Policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 3 milionë lekësh për personat që ofrojnë informacion që mund t’i shërbejë identifikimit dhe kapjes së autorëve.