Masakra, dënimi dhe lirimi i Sasha Cvjetan, përmes rrëfimit të Saranda Bogujevcit

“Lirimi i tij ka qenë lajm shokues dhe i vështirë për familjen dhe ka dëshmuar që Serbia nuk është vend që punon për drejtësi. Në një mënyrë është hapur një plagë të cilën e kemi pasur përherë”

Lajme

26/04/2018 18:33

Zhgënjyes, të papranueshëm, por në një formë të pritshëm e ka cilësuar Saranda Bogujevci vendimin e gjyqësorit serb për lirimin e kriminelit Sasha Cvjetan tre vjet para përmbushjes së dënimit prej 20 vjetësh burg.

E mbijetuara e masakrës ndaj familjeve Bogujevci dhe Duriqi, të cilave ju patën vrarë 14 antëarë, në Info Magazine të Klan Kosovës ka rrëfyer trajektoren e jetës së saj, nga mbijetesa, tek proceset gjyqësore, prej masakrës së 28 marsit 1999, deri sot.

“Nuk është përvojë që e kemi pasur vetëm ne si familje, por edhe shumë familje tjera në Kosovë. Është e vështirë kjo që ka ndodhur, por shumë e rëndësishme të flitet për të”.

“Kemi marrë informata që përveç lirimit më herët i është dhënë mundësia që gjatë fundjavave të vizitojë familjen. E papranueshme është edhe ‘liria’ që i është dhënë brenda burgut. Është shumë shqetësuese që ai që prej gjykimit deri sot nuk ka treguar shenja pendimi. Atij po t’i jepej prapë mundësia do ta bënte të njëjtën”.

“Unë kam qenë vet dëshmitare prezente në proces gjyqësor. Atij nuk i vie keq për atë që ka bërë. Lirimi i tij ka qenë lajm shokues dhe i vështirë për familjen dhe ka dëshmuar që Serbia nuk është vend që punon për drejtësi. Në një mënyrë është hapur një plagë të cilën e kemi pasur përherë”.

“Ka qenë e vështirë(prezenca) sidomos në gjykimin e parë, sepse të gjithë kemi qenë fëmijë. Pas tre vjet të vrasjes së familjes ishte goxha e vështirë të ishe aty. Por ka qenë me rëndësi që të ishim aty, sepse ndryshe ata nuk do të dënoheshin fare. Gjykata e ka marrë më seriozisht çështjen sepse ka pasur vëmendje të madhe ndërkombëtare”.

“Për ne në atë kohë ka qenë me rëndësi që ata të dënohen, sepse dënimi e dokumenton krimin që kanë bërë. Kjo është shumë me rëndësi. Dënimi nuk është i mjaftueshëm, por kjo ka qenë rruga e vetme”.

“Është jo vetëm zhgënjyes, ndaj ndoshta do të duhej të ishte i pritshëm(vendimi për lirimin e Cvjetan)”.