Martin Shkreli kthehet në burg

Martin Shkreli, ish-drejtori i kompanisë farmaceutike Turing, do të qëndrojë në burg me urdhër të gjykatëses së çështjes, e cila arriti në përfundimin se shqiptaro-amerikani i etiketuar si njeriu më i urryer i Amerikës për rritjen e skajshme të çmimit të një medikamenti kundër SIDA-s, kishte shkelur paktin e lirimit me kusht.

Bota

14/09/2017 09:33

Shkreli ka postuar një mesazh në Facebook që, sipas gjykatëses, përbënte kërcënim për ish-kandidaten presidenciale Hillary Clinton. Vetëm një muaj më parë, 34-vjeçari u shpall fajtor për mashtrim të investitorëve në dy fonde financiare të administruara prej tij, por deri në shpalljen përfundimtare të dënimit nga mesi i muajit janar, i ishte dhënë lirimi me kusht.

Në postimin që do ta lërë pas hekurave, Shkreli ofronte 5 000 dollarë për këdo që do t’i shkulte Clintonit një fije floku gjatë turit që ajo po bën për promovimin e një libri të ri. Avokatët e tij mbrojtës u përpoqën të argumentojnë se mesazhi nuk ishte gjë tjetër veçse një satirë politike.

Por, gjyqtarja Kiyo Matsumoto nuk e pa atë me humor e tha se oferta mund të merrej seriozisht nga kundërshtarët e ish-kandidates demokrate. Një gjë e tillë nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë, tha gjyqtarja.

Autoritetet qeveritare patën deklaruar se mesazhi në Facebook i kishte vënë në alarm pjesëtarët e shërbimit sekret që mbron ish-Zonjën e Parë. /TopChannel/