Marshime studentore edhe nëpër rrethe, bllokohen rrugët
Protesta studentore vijon ende, edhe pse ultimatumi për plotësimin e 8 kërkesave të tyre parashtruar qeverisë skadoi pasditen e së martës. Veç studentëve që janë mbledhur në kryeqytet, sërish përpara Ministrisë së Arsimit, edhe nëpër rrethe vijon grumbullimi i tyre.
Lajme
Në Korçë raportohet se studentë, të cilëve iu janë bashkuar edhe gjimnazistë, kanë nisur marshimin në bulevardin “Republika”, gjithnjë në kërkim të plotësimit të kërkesave të tyre.
Ndërkohë, në Shkodër studentët e nisën ditën me një marshim në rrugët e qytetit, për t’u nisur më pas drejt Tiranës. Sipas korrespondentit të Top Channel atje, grupi protestues u ndalën në gjimnazin “28 Nëntori”, ku i bënë thirrje nxënësve që t’iu bashkoheshin.
Nga Elbasani raportohet se studentët kanë nisur marshim drejt bulevardit kryesor të qytetit, e me të gjitha gjasat do të bllokojnë edhe rrugën nacionale drejt kryeqytetit.
Protesta vijon edhe në Vlorë, aty ku studentët janë mbledhur para ambienteve të universitetit. Në thirrjet e tyre bie në sy mostërheqja, derisa të plotësohen kërkesat e tyre.