Marrja e vendimeve të rënda – Lajmi.net
Marrja e vendimeve të rënda
Autori: Blerim Shala LajmeOp-EdOpinion 9:21, 6 July 2017
Qeveria e re të Kosovës, Kryeministri i ardhshëm dhe kabineti i tij, do të përballen me dy lloje të vendimeve politike.

Çdo shtet, secila shoqëri, për të funksionar si duhet, merr vendime. Në fakt, po e njejta fjali mund të thuhet për secilin individ dhe çdo familje. Këtë e dimë të gjithë ne.

Politika në një vend ngritet dhe bjen në bazë të vendimeve të mira dhe të gabuara që merr. Natyrisht, mungesa e vendimmarrjes është politika më e keqe e mundshme. Ajo, në realitet, i kundërvihet vet natyrës së politikës.

Pa marrë parasyshë se kush dhe kur do ta bëjë Qeverinë e re të Kosovës, Kryeministri i ardhshëm dhe kabineti i tij, do të përballen me dy lloj problemesh në vendimmarrjen e tyre, apo, thënë më sakt, me dy lloje të vendimeve. Kjo sprovë zatën karakterizon çdo Qeveri në një shoqëri demokratike.

Temat më të rëndomtat për një Qeveri përkojnë me udhëheqjen me vendin, në të gjitha fushat e rëndësishme, me atë agjendën e zakonshme, e cila si kryefjalë të veten ka zhvillimin ekonomik, përmirësimin e jetës së qytetarëve, ruajtjen e sigurisë dhe të stabilitetit, sundimin e ligjit.

Në adresimin dhe mirëmbajtjen e këtyre çështjeve, Qeveria duhet ta ketë mbështetjen, gjatë gjithë mandatit të saj, nga shumica e përbërjes së Kuvendit, gjë që në rastin e Kosovës ka domethënien e përkrahjes së paku 61 deputetëve. Rëndom, mënyra se si një Qeveri i trajton këto tema është çelësi për suksesin apo dështimin në zgjedhjet parlamentare të radhës.

Temat e veçanta në mandatin e një Qeverie janë më të rralla, megjithëse ato, varësisht prej rëndësisë që kanë, mund ta dominojnë skenën politike të një vendi për vite me radhë, apo, gati gjatë gjithë një mandati të fituar në zgjedhje. Në rastin e Kosovës, këtë e pamë dhe e kuptuam të gjithë në vitet 2015-2017, kur gjithçka në politikën kosovare mbizotërohej nga temat e Marrëveshjes kufitare të Kosovës me Malin e Zi dhe Asociacioni/ Bashkësia e komunave me shumicë serbe (që mbeti kryeçështja e dialogut të Brukselit).

Për shkaqe shumë mirë të njohura, politika kosovare, që nga viti 1990 e këndej  (kur u krijua skena pluraliste vendore), është detyruar të merr vendime të mëdha, të cilat janë përligjur pastaj ose me Referendum  (siç ishte rasti me atë të vitit 1991), ose me votimin e Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, thuaja në asnjë rast nuk është aplikuar mekanizmi vendimmarrës i konsensusit, sëpaku si kuptohet ky nocion ndër ne  (si i pajtim i të gjithë atyre që janë në pozitë ta kenë fjalën e tyre për një çështje), sepse diçka e tillë është e paarritshme. Nuk ka pasë qëndrim absolutisht unik as kur ishte fjala e pjesëmarrjes në Konferencën paqësore të Rambouilletit, as kur u shtrua çështja e pranimit të Marrëveshjes së Rambouilletit, poashtu, as kur u bënë bisedimet për statusin e Kosovës. Megjithatë, ka pasë një vlerësim i përkrahur nga shumica dërrmuese e politikës dhe e qytetarëve të Kosovës, që Rambouillet do ta sjellë çlirimin e Kosovës  (gjë që njëmend ndodhi), dhe që bisedimet e Vienës do ta bëjnë shtetin e Kosovës  (edhe kjo ndodhi).

Qeveria e re e Kosovës, e ka gjithsesi të domosdoshme që të mirret me te dy temat e mbetura mbi tavolinë, për të cilat jo që nuk pati konsensus, por nuk u arrit të mbërrihet as tek një vlerësim mbizotërues, i cili pastaj do të zbatohej me një votim dominues në Kuvendin e Kosovës. Por, qysh tash mund të thuhet që synimi eventual për të pasë një unanimitet të plotë në adresimin e Shenjimit të kufirit me Malin e Zi dhe në vazhdimin e dialogut të Brukselit, është i paracaktuar për dështim. Diçka e tillë nuk ka ndodhë as në të kaluarën  (siç u pa), dhe as që do të ndodhë në të ardhmen.

Por, është gjithsesi e domosdoshme që politika kosovare, në te dy këto tema, të ndryshojë qasjen e saj, duke instaluar një dialog të mirëfilltë për to, duke krijuar edhe mekanizma ad hoc, dhe duke mbërritë tek vendimmarrja që shquhet me një fuqi evidente politike të shumicës dërrmuese të politikanëve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por edhe të faktorëve të tjerë në shoqërinë kosovare.

Një unitet i njëmendtë na duhet si në temën e dialogut ashtu edhe në këtë të Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi. Në te dy rastet, duhet dhënë epilogun e duhur i cili pastaj do të përshpejtojë procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Fjalët kyçe: Blerim Shala, Qeveria, zgjedhjet

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Stealth Sniper
  • Play 8 Ball Pool
  • Play Bubble Trouble
  • Play Bike Rivals