Marrëveshja për “Kosovën e Re” përkthehet brenda tre muajve

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka njoftuar se kontrata për termocentralin “Kosova e Re”, do të përkthehet në gjuhën shqipe brenda tre muajve.

Lajme

22/01/2018 13:15

Kjo kontratë është publikuar në gjuhën angleze të premten më 19 janar, tri javë më vonë nga se ishte paralajmëruar dhe sipas ministrit të MZHE-së, kjo vonesë sipas ministrit është bërë për shkaqe teknike.

Lluka tha se përkthimi i kontratës do të bëhet nga zyra për menaxhimin e projektit dhe se nuk beson se do të ketë kosto të madhe,

“Kontrata i ka 1000 faqe, përkthimi ka filluar por do të zgjasë deri në 3 muaj, përkthimin po e bën zyra jonë për menaxhimin e projektit, nuk besoj që ka një kosto të lartë”, tha Lluka.

Këto komente ai i bëri pas takimit me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu me të cilin biseduan për publikimin e kontratës si dhe për të ardhmen e sektorit energjetik në Kosovë.