Marrëveshja për emrin mund të fuqizohet dhe pa firmën e Ivanovit?

Drejtuesit e institucioneve, që nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministri, Zoran Zaev, liderët e partive politike shqiptare dhe faktorë të tjerë, i kanë bërë thirrje presidentit Gjorge Ivanov që ta dekretojë Ligjin e miratuar për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Lajme

06/07/2018 15:50

Por, nga kabineti i kreut të shtetit ende nuk ka përgjigje, ndërsa bazuar nga qëndrimet e deritashme, është e vështirë të pritet ndonjë vendim pozitiv. Presidenti ka thënë se marrëveshja që parasheh emrin “Maqedonia e Veriut”, është “antikushtetuese dhe tradhti kombëtare”, ndërsa partia opozitare VMRO-DPMNE ka ngritur padi penale ndaj kryeministrit dhe deputetëve që e kanë votuar, duke i akuzuar “për shitje të interesave nacionale”.

Njohësit e çështjeve politike dhe të drejtësisë thonë se kësaj radhe zgjidhje duhet të ketë pasi refuzimi i presidentit do të thotë edhe dështim i marrëveshjes.

Analisti Albert Musliu thotë se Maqedonia nuk mund të mbahet peng për shkak të, siç thotë, inateve të presidentit.

“Gjithsesi, zgjidhjen duhet ta gjejnë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve, pasi Maqedonia nuk mundet të ngelet peng i vullnetit personal të Ivanovit dhe keqpërdorimit të pozitës së tij si president i shtetit. Ai haptazi bën shkeljen e Kushtetutës, e cila e obligon atë që çdo ligj, që votohet për herë të dytë në Kuvend edhe ta dekretojë. Ai këtë nuk e bën dhe ne nuk mund të jemi peng i shkeljes së Kushtetutës nga ana e tij. Zgjidhja duhet të gjendet”, vlerëson Musliu.