Marrëveshja për ekstradim me SHBA-në, nuk ratifikohet

Marrëveshja për Ekstradim e nënshkruar në fund të muajit mars nga ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ambasadori amerikan Greg Delawie, nuk do t’i nënshtrohet procesit të ratifikimit në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

23/06/2016 08:15

Kjo është bërë e ditur nga përfaqësuesit e ambasadës amerikane dhe nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës, pasi vlerësojnë se nuk është i nevojshëm ratifikimi.

Zëdhënësja e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Michelle Schohn, ka thënë për Zërin se nuk e dinë se kur Kongresi i SHBA-së do ta ratifikojë marrëveshjen për Ekstradim, megjithatë ka shtuar se shpreson që nuk do të ketë vonesa.

Schon ka deklaruar se kjo marrëveshje është ndër më modernet në rajon dhe se do të ndihmojë për të sjellë kriminelet para drejtësisë, qoftë në Kosovë apo SHBA.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se Kosova i ka kryer obligimet e veta në mënyrë që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi posa të ratifikohet nga legjislativi amerikan.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se marrëveshjet që nënshkruhen nga Presidenti i vendit, nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen ratifikimit nga Kuvendi.