Marrëveshja me Listën Serbe po e vonon formimin e FAK-ut

Projektligji për shndërrimit e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), në Forcën e Armatosur të Kosovës (FAK), që nga fillimi i muajit mars, i ishte dërguar Qeverisë për ta proceduar.

Lajme

13/05/2015 13:26

Kanë kaluar dy muaj dhe ky projektligj është duke mbetur në sirtar të ekzekutivit, duke mos u paraqit për votim në ndonjërën nga mbledhjet e Qeverisë, për ta proceduar më pas për votim në Kuvend.

Shndërrimi i FSK-së në FAK, si kategori kushtetuese, kërkon shumicën e thjeshtë të votova dhe po ashtu shumicën e votave të minoriteteve.

Në Kuvendin e Kosovës, shumicën e votave të minoriteteve e ka Lista Serbe dhe sipas burimeve të lajmi.net brenda qeverisë së Kosovës, ekzekutivi po e vonon projektligjin deri sa të arrin një marrëveshje me partnerët serbë.

“Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, nuk mund të bëhet pa pasur edhe votën e Listës Serbe. Qeveria është duke biseduar më ta për t’i siguruar votat, për formimin e FAK-ut”, ka thënë burimi.

Formimin e Ushtrisë së Kosovës e kishte paralajmëruar Hashim Thaçi në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt në vitin 2014.

Thaçi i cili në atë vit ishte kryeministër i vendit, kishte thënë se përvjetori i vitit 2014, do të jetë i fundit që Kosova e shënon pa ushtri.

Por, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Njoftim zyrtarë se çfarë është duke ndodhur me projektligjin për formimin e FAK-ut, nuk kanë as deputetët e Kuvendit të Kosovës, por të cilët thonë se një vonesë e tillë po ndodh për shkak të drejtave të Listës Serbe që kanë Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, i cili është edhe anëtarë i Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës po vonohet për shkak të Listës Serbe.

Ai në një prononcim për lajmi.net ka thënë se kjo listë përfaqëson vullnetin e qeverisë së Beogradit dhe se, ky vullnet, nuk po lejon formimin e FAK-ut.

“Kjo po ndodhë për shkak të drejtave të Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës, për shkak se krijimi i Ushtrisë së Kosovës në përputhje me Kushtetutën tonë, është në varësi të minoritetit serbë në Kosovë dhe dihet shumë mirë se cilin vullnet e përfaqëson Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës” .

“Lista Serbë ka një lojalitet absolut ndaj qeverisë së Beogradit, respekton vullnetin politik të tyre, atëherë ky vullnet politik i Beogradit nuk po e lejon shndërrimin e FSK-së në FAK”, ka thënë Selimi.

Nuredin Ibishi anëtar i Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe deputet LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se institucionet e vendit është dashur që ta shfrytëzojnë mundësin e vitit të kaluar për formimin e FAK-ut, pasi që pakica serbe ka qenë në favor të saj.

“Ka qenë shansi më i madh që ajo të kryhet në legjislaturën e kaluar, për shkak se pakica serbe ka qenë në favorin tonë dhe ka mundur të bëhet pa kushtëzime. Ndërsa në situatën e tanishme, pa dashtë me spekuluar, mendoj se duhet që së pari të konfirmohet edhe vota e pakicës serbe dhe pakicave tjera më qëllim që ky ligj të kalojë”, ka thënë ai për lajmi.net

Për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, një grumbull ligjesh do të pësojnë ndryshime thelbësore për t’ia dhënë formën përfundimtare Ushtrisë Kosovare.

Siç është raportuar  ditë më parë, ku është publikuar projektligji për ndryshimin e ligjeve, që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës, është thënë se nevojitet ndryshimi i plot 39 prej tyre. Neni 10 i këtij ligji, pika 1 thotë se: “Forcat e Armatosura të Kosovës janë forca kombëtare, ushtarake të Republikës së Kosovës dhe mund të dërgojnë pjesëtarët e saj jashtë vendit, në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare”.

Se çfarë detyrash do të ketë FAK-u, në detaje e përcakton pika 3 e këtij neni: “Mbështetje ushtarake për autoritetet civile, mbështetje dhe ndihmë komunitetit si dhe të marrë pjesë në operacionet mbështetëse për reagim ndaj krizave dhe mbështetje të paqes”.

Forcat do të jenë të pajisura me armatim të karakterit mbrojtës, në pajtim me nevojat e vet FAK-ut. Ushtria e ardhshme e Kosovës, pritet ti ketë rreth 8 mijë pjesëtarë.