‘Marrëveshja historike’, Beogradi nuk ka ide se çka përfshin ky dokument

Lidhur me marrëveshjen e detyrueshme ligjore me Prishtinën, drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq ka thënë se Beogradi nuk ka ide se çfarë lloj skicimi duhet të ketë në një dokument të tillë.

Lajme

19/03/2018 12:03

Gjatë një interviste për ‘Standard’ të Vienës, ai ka shtuar se nuk mund as të parashikojë se çfarë nënkupton Bashkimi Evropian me këtë dokument.

“Është e qartë se BE nuk bën asgjë të qartë mbi çështjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, siç mund të shihet nga Strategjia e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht nga të gjitha mendimet e BE-së mbi këtë temë, nuk ka dyshim se duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për stabilitetin e kësaj pjese të Evropës”, ka thënë Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Gjuriq ka rikujtuar se në Serbi tashmë ka nisur dialogu i brendshëm për Kosovën, ku janë të përfshirë qindra ekspertë nga të gjitha fushat.

‘Standard’ thotë se ‘marrëveshja historike’ e cila gjoja se do t’i zgjidhë të gjitha çështjet e diskutueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të arrihet deri në fund të vitit të ardhshëm, kohë kjo që përkon me përfundimin e mandatit të Komisionit Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Frederica Mogherini ka thënë pak kohë më parë se ajo ka parë vendosmëri si në Beograd ashtu dhe në Prishtinë, që marrëveshja të nënshkruhet vitin që vjen./Lajmi.net/