Marrëveshja finale me Serbinë, kosovarët e serbët me qëndrime të kundërta

Qytetarët shqiptarë dhe serbë të Kosovës kanë qëndrime jokonsekuente dhe pozicione të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale mes Kosovës e Serbisë, derisa e vetmja gjë për të cilën ata kanë pajtueshmëri është se dialogu duhet “të zhbllokohet”.

Lajme

21/02/2019 08:11

Kjo u bë e ditur në sondazhin që u publikua dje nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Liqeni i Ujmanit duhet të mbetet brenda territorit të Kosovës, “Trepça” duhet të mbetet pjesë e Kosovës, Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës, veriu i Kosovës (Zveçani, pjesë të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit) nuk duhet t’i bashkohen Serbisë janë vetëm disa nga qëndrimet e shumicës shqiptare në Kosovë, të cilat janë nxjerrë nga sondazhi i Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe i cili është prezantuar në konferencën “Zëri i popullit rreth ‘Finales së madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Gazeta Zëri.

Me këtë publikim u bë e qartë që qëndrimet e kosovarëve dhe të serbëve të Kosovës janë plotësisht të kundërta mbi atë se si dhe çfarë duhet të përfshijë marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë.

Mirëpo liderët shtetërorë të Kosovës, të cilët po ashtu morën pjesë në këtë konferencë, u shprehën me qëndrime diametralisht të kundërta mbi atë se si duhet të arrihet deri te marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.