Marrëveshja e Brukselit është historike

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Rasmussen, thotë se Marrëveshja e Brukselit, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, është historike. Pohon se KFOR do të vazhdojë të ndihmojë procesin politik në Kosovë dhe premton mbështetje për trupat e FSK'së.

Lajme

27/01/2014 15:30

Marrëveshja historike Prishtinë-Beograd ofron një zgjidhje politike për t’i dhënë fund dallimeve ekzistuese.

Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen.

Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se KFOR do të vazhdojë të ndihmuar procesin politik në Kosovë.

Në deklaratën vjetore lidhur me angazhimin e NATO’s nëpër botë, të mbajtur në Bruksel, Rasmusen ka thënë se “Marrëveshja Prishtinë-Beograd, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, rregullon disa çështje në normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e situatës në Veri të Kosovës”.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Euro-Atlantike ka vlerësuar gjithashtu se në vitin 2013 kanë ndodhur përparime në fushën e sigurisë në Kosovë dhe ka shtuar se KFOR do të vazhdojë edhe më tej të ndihmojë procesin e marrëveshjeve politike në Kosovë.

Kreu i NATO’s ka deklaruar se KFOR ka qenë në vend të ngjarjes në nëntor të vitit të kaluar, kur kishte pasur sulm në vendvotime në Veri të Mitrovicës, duke ofruar përkrahje në organizimin e zgjedhjeve.

“KFOR ka garantuar transportimin e lirë të kutive të votimit në qendrën e numërimit”.

Rasmussen ka thënë se Këshilli i NATO’s në qershor të vitit të kaluar deklaroi se “Forcat e Sigurisë së Kosovë kanë arritur kapacitetin e plotë operacional”.

Ai ka potencuar se “Aleanca mbështet FSK’në në ​​fazën e re të zhvillimit të saj” dhe se ajo do të vazhdojë të kontribuojë për paqen në Kosovë nën mandatin e OKB’së.