Marrëveshja e Brukselit e ndau Kosovën

Ilir Deda thotë se Kosova është ndarë me Marrëveshjen e Brukselit. Sipas tij, ajo është gjysmake dhe ka bërë segregacion politik e institucional. Deda pret ndryshime të thella në politikën e Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2014.

Lajme

09/01/2014 11:22

Drejtori i Institutit kosovar KIPRED, Ilir Deda, është shprehur se bashkëpunimi ndërmjet Kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, është si rezultat i rrethanave të krijuara, pasi që “të dy po përpiqen ta shtyjnë mbijetesën e qeverive të tyre”.

“Por si çdo marrëveshje e deritanishme në Ballkanin Perëndimor, edhe kjo e Brukselit, është afatshkurtër dhe gjysmake”.

“Plani i Ahtisaarit inkurajoi ndërtimin e Kosovës si shtet i qytetarëve, ndërsa marrëveshja e Brukselit e ndau Kosovën në pjesën serbe dhe shqiptare. Në përpjekje për të ndërtuar paqen, marrëveshja e ndau sovranitetin”, ka thënë Deda në një intervistë për gazetën beogradase Blic.

I pyetur se çka nënkupton kjo ndarje e Kosovës, Deda është shprehur se “kjo nënkupton që serbët e Kosovës do të dirigjohen edhe nga Beogradi edhe nga Prishtina”.

“Është bërë një segregacion politik dhe institucional në baza etnike. Edhe Beogradi edhe Prishtina e kanë shpallur si “historike” një zgjidhje gjysmake dhe afatshkurtër, edhe pse ajo nuk ofron mundësi komunikimi ndërmjet popujve, gjë pa të cilën nuk mund të ketë përparim të vërtetë”.

Deda ka thënë se pret “ndryshime të thella” në spektrin politik në Kosovë dhe Serbisë pas zgjedhjeve që priten të mbahen në të dyja vendet gjatë këtij viti.

“Pres ndryshime radikale pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe Kosovë. Zgjedhjet lokale në Kosovë, ku u ndërruan 20 kryetarë komunash, treguan se në skenën politike të Kosovës ndodhën ndryshime të thella.

“Partitë ekzistuese klienteliste të cilat shërbejnë për interesa ekonomike të drejtuesve të tyre pësuan disfatë.

“Pres që vala e ndryshimeve të vazhdojë edhe në zgjedhjet parlamentare”.

“Sa i përket qeverisë së re në Serbi, është e qartë se atë do ta themelojë Partia Përparimtare Serbe”.

“Të dy qeveritë e reja, së pari, duhet ta arrijnë një marrëveshje kornizë me të cilën Serbia dhe Kosova nuk e njohin njëra- tjetrën, por me të cilën Serbia nuk do ta pengojë integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, ka thënë Ilir Deda.