Marramendja e ngecjes

Para tri viteve, sikur dikush do të na thoshte që do t’i kalojmë në këtë mënyrë vitet e ardhshme, askush prej nesh nuk do t’i besonte. Por ne, ende nuk e dimë ku kemi mbërri. Si politikë.

Opinion

30/03/2017 13:02

Sa është racionale, sa pragmatike? Sa është ajo afër realitetit, afër njerëzve? Sa është ajo vendimmarrëse? Sa është në gjendje të zgjidhë problemet e një shoqërie?

Janë këto katër pyetje që njohin politikën si kryefjalën e tyre. Për më shumë, po këto pyetje sot bëhen anëkënd Perëndimit, në shtetet e demokracisë liberale, ato gjithsesi janë temë e përditshme kudo në rajon, dhe ato, patjetër, e kanë vendin e tyre edhe këtu, në mes nesh, në Kosovë.
E dimë të gjithë: Bota e sotme është në lëvizje, në lëkundje të madhe, e cila shpeshherë cilësohet si një tronditje e madhe, pa kurfarë garancash që Bota e të nesërmes, do të jetë më e mirë se kjo e sotmja, ndërsa ndryshe e tashmja është shumë më problematike se sa që ishte e kaluara që njeh vetëm disa vite krahasim.
Pyetjet pra të përmendura krejt në fillim, nuk ka ditë të lume që nuk bëhen në Washington, në Londër, Bruksel e Berlin. Përgjigjet janë në kërkim e sipër, apo, thënë më mirë, në hartim apo në përgatitje e sipër, dhe ato do të jenë gjithsesi reflektim i zhvillimeve politike, ekonomike, sociale por edhe kulturore në këto shtete, në këto shoqëri.
Ky grupi i pyetjeve të theksuara tashmë, nëse tani i kthehemi zhvillimeve aktuale politike në Kosovë, njeh një mori përgjigjesh, nëse përpiqemi të bëjmë përshkrimin e gjendjes aktuale të politikës kosovare, të cilat bashkohen në plotëni në veçoritë negative të tyre.
Ta zëmë, pakçka është racionale dhe pragmatike në politikën kosovare, tash e gati tre vjet. Këtu mund të huazohet për pak çaste vetëm shembulli i mënyrës se si kemi trajtuar temën e vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Çka nuk kemi bërë dhe çka nuk kemi thënë në përpjekjet e parreshtura dhe të pafundme, për ta bindur njeri-tjetrin se ku në të vërtetë është kufiri me një shtet fqi. Nuk ka guxuar të na ndodhë që kufiri me Malin e Zi të na bëhet problem politik i brendshëm, thuaja i pazgjidhshëm. Këtu nuk ka gjë racionale, nuk ka maturi politike, nuk ka tipare të qasjes e cila i shquan burrshtetasit. Për më shumë, duket që nuk di kush se si do ta mbyllim këtë çështje, e cila tash e një muaj mori formën e kriterit të fundit për të mundësuar udhëtimin pa viza të qytetarëve të Kosovës në Evropë.
Politika kosovare në përgjithësi, vetëm sa është larguar nga realiteti, nga qytetarët e rëndomtë të Kosovës, tash e tri vjet. Mbase, ai largim masiv i dhjetëra mijëra kosovarëve kah Perëndimi, në dimrin e viteve 2014/ 2015, doli që ka qenë një lloj i paralajmërimit i sakt se çka na pret si vend, në rrjedhat e mëtejme politike. Është rritur pra në ndërkohë hendeku që ndanë politikën e vendit nga interesat dhe preokupimet e qytetarëve të zakonshëm të Kosovës. Sërish këtu na bie ndërmend puna e Liberalizimit të Vizave. Politika kosovare nuk ka guxuar t’i lë, me fajin e vet, qytetarët e vendit pa këtë të drejtë elementare. Nuk bëjnë fare punë këtu shpjegimet dhe interpretimet të cilat janë dëgjuar qindra herë në dy vitet e fundit. Por ka edhe shumë shembuj të tjerë që flasin zëshëm sa shumë është larguar kjo politikë prej qytetarëve të Kosovës. Për më shumë, kjo politikë nuk di thuaja gjë edhe çka po ndodhë në Evropë dhe në Botë, dhe sa do të mund të reflektohej e tëra në rrjedhat politike të vendit, në rrezikimin e qëndrueshmërisë edhe ashtu diskutabile të stabilitetit të Kosovës – për shkaqe shumë mirë të njohura.
Politika kosovare, kështu, në tërësinë e saj, nuk ka qenë vendimmarrëse dhe nuk ka arritë të zgjidhë problemet kryesore të kësaj shoqërie në vitet e fundit. Në atë verën e vitit 2014, kur pati ngecë ndërmarrja e krijimit të institiucioneve qëndrore të Kosovës, fjala më e përdorur në politikën dhe gazetarinë kosovare ka qenë: ngërçi. Mbase, ky nocion gjithsesi meriton të jetë në nesin e katër-pesë fjalëve që do të mund të përdoreshin, me një saktësi të madhe, në përshkrimin e dukurive të cilat i kemi përjetuar të gjithë së bashku tash e tre vjet.
Para tri viteve, sikur dikush do të na thoshte që do t’i kalojmë në këtë mënyrë vitet e ardhshme, mbase, askush prej nesh nuk do t’i besonte.
Por ne, me gjasë ende nuk e dimë ku kemi mbërri. Si politikë.
Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net.